Akti normativ/ 501 mln lekë u kthehen profesionistëve të lirë! Ministri Malaj: Brenda datës 31 dhjetor 2024 përfundon procesi i rimbursimit

27 Nëntor, 11:04| Përditesimi: 27 Nëntor, 12:11

  • Share

Brenda 31 dhjetorit të këtij viti të gjithë profesionistët e lirë që parapaguan këstet e tatimit përpara se Gjykata Kushtetuese të shfuqizonte taksimin e tyre, do të marrin mbrapsht paratë. Akti Normativ për kthimin e parave u miratua nga Këshilli i Ministrave këtë të mërkurë.

“Qeveria përmes këtij akti normativ mori vendimin për kthimin e fondeve tek profesionistët e lirë, dhe nga ana tjetër edhe ndonjë detyrim eventual i cili është regjistruar gjatë kohës që ligji ishte në fuqi, u shuajt. Nga ky akt normativ përfitojnë 6450 profesionistë të lirë, që do rimbursohen me fond prej 501 milionë lekë. Parashikojmë që procesi të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2024, do të ngarkojmë Tatimet për mbarëvajtjen e gjithë procesit”, tha Ministri i Financave Petrit Malaj.

Ministri Malaj u pyet nga Report Tv nëse do të ketë një skemë tjetër tatimi për këtë kategori pasi kushtetuesja rrëzoi ligjin e 2023-shit.

“Qeveria do të bëjë një vlerësim të të gjitha përjashtimeve dhe normave të reduktuara që janë në fuqi dhe do të vendosim nëse përjashtimet do të vijojnë apo do të rishikohen”, u përgjigj Malaj.

Në fund të muajit qershor 2024 Gjykata Kushtetuese rrëzoi disa nene të ligjit të tatimit mbi të ardhurat ku parashikohej tatimi i kësaj kategorie profesionistësh, pas kërkesës së bërë nga Kontabilistët, dhoma e Avokatisë dhe Partia demokratike. Gjykata vlerësoi se tatimi ishte joproporcional dhe cenonte sigurinë juridike. Tatimi i profesionistëve të lirë u miratua në mars të vitit 2023 dhe parashikonte 15% tatim kush ka të ardhura deri 14 milionë lekë, dhe 23% kush merrte më shumë.

G.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?