Qeveria miraton garancinë sovrane 150 mln $ për 3 sektorë: Fondet për rimëkëmbjen dhe investime

13 Maj 2020, 19:21| Përditesimi: 13 Maj 2020, 19:38

  • Share

TIRANE-Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave garancinë e dytë sovrane me vlerë 150 milionë dollarë. Garanci sovrane do të jenë për sektorët e turizmit, fasonët dhe bizneset prodhuese.

Kjo garanci sovrane nuk do të përdoret për paga, si e para, por për investime, kapital qarkullues për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19. 

Rreziku nuk do të jetë si në garancinë e parë që e merr përsipër shteti, por do të ndahet mes të treve, shtet-biznes-bankë. Bizneset që do të aplikojë për kredinë nuk duhet te kenë pasur probleme me kredi të mëparshme pasi nuk do të përfitojnë.

Kujtojmë që garancia e parë ishte 11 mld lekë për të gjitha bizneset që duan të marrin kredi për të shlyer pagat e punonjësve deri në tre muaj.

VENDIMI I PLOTE
Miratimin e garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore në vlerën 15 000 000 000 (pesëmbëdhjetë miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për tregtarët dhe shoqëritë tregtare për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.

2. Linja e garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, është, si më poshtë vijon:

Raiffeisen Bank sh.a. Albania, deri në vlerën 2 600 000 000 lekë;

Banka Tirana sh.a. deri në vlerën 850 000 000 lekë;

Banka Union sh.a. deri në vlerën 800 000 000 lekë;

Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. deri në vlerën 1 200 000 000 lekë;

Banka Kombëtare Tregtare sh.a. deri në vlerën 2 550 000 000 lekë;

Banka OTP Albania sh.a. deri në vlerën 1 450 000 000 lekë;

Banka Procredit sh.a. deri në vlerën 600 000 000 lekë;

Banka Alpha Albania sh.a. deri në vlerën 950 000 000 lekë;

Banka Amerikane e Investimeve sh.a. deri në vlerën 650 000 000 lekë;

Banka Credins sh.a. deri në vlerën 2 800 000 000 lekë;

Banka e Bashkuar e Shqipërisë sh.a. deri në vlerën 150 000 000 lekë;

Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a.

deri në vlerën 400 000 000 lekë.

3. Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, nëse është e nevojshme, sipas raportit të strukturës së posaçme ndërinstitucionale, i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.

5. Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat tregtare.

6. Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, përmban kushtet dhe kriteret sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi.

7. Kryeministri miraton me urdhër strukturën e posaçme ndërinstitucionale, e cila monitoron, shqyrton dhe raporton periodikisht pranë ministrit të Financave dhe Ekonomisë në lidhje me ecurinë e garancisë shtetërore, si dhe trajton çështje mbi mbarëvajtjen dhe unifikimin e zbatimit të parashikimeve të kësaj marrëveshjeje.

8. Ministria e Financave dhe Ekonomisë mund të kërkojë këshillim/asistencë nga Banka e Shqipërisë, gjatë implementimit të marrëveshjeve të garancisë. Ky bashkëpunim mund të rregullohet edhe nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi.

9. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?