Fermerë e biznese të sektorit të bujqësisë do të mund të marrin kredi të butë me shtetin garant. Qeveria do japë 30 milionë euro garanci sovrane për këtë sektor, ndërsa interesi për kreditë pritet të jetë deri 2%.
Vendimi është miratuar këtë të enjte në qeveri, dhe do të jenë të 11 bankat në vend që do të japin kredi për fermerët në norma të favorshme interesi.
Kredia e butë që do të marrin bizneset bujqësore duhet të përdoret për investime në stalla, sera, në makineri, agro-përpunim, agroturizëm, peshkim apo akuakulturë.
Për këtë skemë shteti do të dalë garant për 70% të vlerës së kredisë që do të kërkojnë këto sipërmarrje.
Vendimi i plotë:
MIRATIMIN E SKEMËS SË VEÇANTË TË GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË SUBJEKTEVE NË SEKTORIN E BUJQËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Miratimin e skemës së veçantë të garancisë shtetërore të huas, në vlerën 3 000 000 000 (tre miliardë) lekë, për garantimin e huamarrjes së subjekteve në sektorin e bujqësisë.
2. Skema e veçantë e garancisë shtetërore të huas do të lëshohet në favor të bankave tregtare të nivelit të dytë, si më poshtë vijon:
a) Banka Raiffeisen, sh.a.;
b) Banka e Bashkuar e Shqipërisë, sh.a.;
c) Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;
ç) Banka Tirana, sh.a.;
d) Banka Intesa Sanpaolo Albania, sh.a.;
dh) Banka Procredit, sh.a.;
e) Banka Amerikane e Investimeve, sh.a.;
ë) Banka e Parë e Investimeve Albania, sh.a.;
f) Banka Credins, sh.a.;
g) Banka OTP Albania, sh.a.;
gj) Banka Union, sh.a.
3. Marrëveshja e garancisë do të jetë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së garancisë me bankat tregtare të nivelit të dytë, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, për ndjekjen dhe administrimin e kësaj skeme garancie.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Komente
