Qeveria miraton Hartën e re Gjyqësore, shkurtimi i gjykatave fillon nga shkurti i vitit të ardhshëm! Avokatët: Do ta çojmë në 'Kushtetuese'

21 Korrik 2022, 10:10| Përditesimi: 21 Korrik 2022, 13:48

  • Share

Qeveria shqiptare ka miratuar Hartën e re Gjyqësore. Ashtu siç kishte paralajmëruar harta e re është miratuar, pa marrë parasysh bojkotin e avokatëve që vazhdon prej disa javësh. 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht vendimi i Këshillit të Ministrave për hartën e re gjyqësore në vend. Lajmin për këtë vendim e ka dhënë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

“Është miratuar harta e re gjyqësorë, 13 gjykata të shkallës së parë, 1 të apelit dhe 2 administrative. E rëndësishme për zbatimin e reformës në drejtësi. Është produkt i një grupi ekspertë vendas e ndërkombëtar. Implementimi i hartës me faza. Harta e re gjyqësore ka disa risi, do bëjë shpërndarje të drejtë të çështjeve tek gjyqtarëve, do ulë kostot, ajo që kemi sfidë është që këtë fazë tranzitore, do e shfrytëzojmë si periudhë edukimi të qytetarëve për gjykatat e reja.

Qytetarët do t’i marrin të gjitha shërbimet gjyqësore në strukturat ekzistuese të Gjykatave. Implementimi i hartës  do të bëhet me faza. Më 1 shkurt do të kemi përqendrimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë, në 1 maj do të jenë Gjykata e shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe më 1 korrik do të jetën Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë”, tha Manja. 

Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, teksa e cilësoi si hartën më të gabuar, tha se për ta kundërshtuar, do ta çojnë hartën e re gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.

KLGJ miratoi draftin më 10 qershor dhe i vetmi ndryshim nga propozimi i mëparshëm ishte shtimi i një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë.

Avokatët prej javësh kanë bojkotuar seancat gjyqësore, si edhe masat e sigurimit. Lidhur me bojkotin e avokatëve ka pasur një reagim edhe nga qeveria. Vetë kryeministri Edi Rama tha se harta gjyqësore nuk ka për të ndryshuar duke thënë se bojkoti është i pavlerë. Mirëpo në përgjigje të kësaj deklarate, kreu i Dhomës së Avokatisë Kombëtare, Maks Haxhia tha se nuk kërkojnë nga qeveria, por KLGJ, duke thënë se ka mundësi për zgjidhje.

Ora 16:30
Miratimi i Hartës së re Gjyqësore, ambasada amerikane e mirëpret: KLGJ përmbushi detyrimet

1657196517_ambasadaamerikane.jpg

Ambasada Amerikane  ka mirëpritur miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore sot. Sipas ambasadës KLGJ përmbushi detyrimet e saj me këtë hartë, përmes një procesi gjithëpërfshirës, me konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët.

 “Mirëpresim miratimin nga Këshilli i Ministrave të hartës së re gjyqësore sot. Harta e gjykatave të Shqipërisë u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi që përfshiu Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë, si dhe ndihmë teknike nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit tre-vjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Kujtojmë se qeveria shqiptare ka miratuar sot Hartën e re Gjyqësore. Ashtu siç kishte paralajmëruar harta e re është miratuar, pa marrë parasysh bojkotin e avokatëve që vazhdon prej disa javësh. 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht vendimi i Këshillit të Ministrave për hartën e re gjyqësore në vend. Lajmin për këtë vendim e ka dhënë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

Ora 15:56
Ministri i Drejtësisë: Mund të krijojmë degë të gjykatave nëse shtohen çështjet! Këtë periudhë të familjarizojmë qytetarët me hartën e re gjyqësore

1658411226_Screenshot2.jpg

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka folur në foltoren e parlamentit për harten e re gjyqësore të miratuar nga qeveria. Pas falenderimeve për KLGJ, Manja thekson se i ka dëgjuar të gjithë shqetësimet dhe sqaroi se gjykatat e reja nuk do të cenojnë asnjë shërbim për qytetarët ku mbyllen gjykatat.

"Harta e re gjyqësore kaloi sot në qeveri dhe kam dosjen e plotë të hartës së re. Dua të falenderoj KLGJ për punën 3 vjeçare, e para  në llojin e vet me një grup ekspertësh, të asistuar nga ekspertët më të mirë të Këshillit të Europës por edhe me një ndihmë teknike nga SHBA që gjatë 3 viteve, nga nëntori 2019 finalizuan hartën e re gjyqësore, një produkt i sistemit gjyqësor. Ministria e Drejtësisë në referencë të ligjit 98/2016 është përfshirë që ditën e parë deri te bashkëpropozimi që u votua sot. Është ekzekutivi që do të japë mbështetjen për buxhetimin e hartës dhe logjistikën për të garantuar mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. I kam dëgjuar të gjitha shqetësimet por dua të bëj të qartë se harta e re nuk do të cenojë asnjë shërbim për qytetarët në vendet ku gjykatat do mbyllen. Shërbimet gjyqësore do të jetë aty", tha Manja.

Ndër të tjera sqaroi se procesi për të vënë në zbatim hartën e re gjyqësore do të jetë me faza si dhe kërkoi që këtë periudhë të punojnë që qytetarët të familjarizohen me ndryshimet.

"Më 1 shkurt gjykatat e apelit, më 1 maj gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe më 1 korrik gjykatat e Apelit të Shkallës së Parë. Në varësi të numrit të gjyqtarëve që do kemi, ligji ka krijuar mundësinë e krijimit të degëve të gjykatave nëse do ketë shtim të volumit çështjeve. Të japim kontributin për implementimin e hartës dhe ta shfrytëzojmë këtë periudhë tranzitore për edukimin e qytetarëve me familjarizimin e hartave të reja", tha Manja.

Ora 13:46
Miratimi i Hartës së re Gjyqësore, Haxhia: Do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese

 

Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia tha se do ta çojnë hartën e re gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese.

‘Kjo është harta më e gabuar. Nuk na bëhet qejfi se edhe pse jemi të bindur që pasojat do jenë tejet të rënda për ne nëse do të aplikohet. Ne fituam, fituam në radhë të parë pasi demonstruam një nivel te lartë profesional. Hapi jonë final do jetë Gjykata Kushtetuese. Kemi ngritur një gurp që do të përgatisë materialin, që do finalizohet me një kërkesë të përcaktuar konform ligjit.’- tha Haxhia.

Ora 11:00
Miratimi i hartës gjyqësore, KLGJ: Tregues i bashkëpunimit mes pushteteve

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas miratimit të hartës së re gjyqësore ku ka thënë se e kanë përshëndetur këtë vendimmarrje.

'Sot më datë 21.07.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë kurorëzuan punën pothuajse 3 vjeçare të Grupit Ndër-institucional të Punës për Riorganizimin e kompetencave tokësore të gjykatave.

Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e përbashkët për Hartën e re Gjyqësore, e cila synon riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave në përputhje me standardet me të mira ndërkombëtare të efiçencës gjyqësore. Harta e re gjyqësore bazohet në metodologjinë e propozuar nga Komisioni Europian për Eficencën në Drejtësi (CEPEJ) dhe është hartuar me asistencën teknike të ekspertëve të Këshillit të Europës, USAID dh Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit e Ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe Delegacionit të BE-së.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, përshëndet këtë vendimmarrje, e cila është tregues i bashkëpunimit të ndërsjelltë midis pushteteve, me qëllim garantimin e një demokracie funksionale në Shqipëri dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

 Vendimi i sotëm i hap rrugën një procesi i cili synon rritjen e efikasitetit dhe efektshmërisë të gjykatave dhe dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët. Miratimi i hartës së re gjyqësore përmbush jo vetëm një detyrim ligjor, po garanton ndërhyrjen e duhur për rritjen e aksesit në drejtësi dhe siguron marrjen e shpejtë të shërbimeve gjyqësore për publikun. Qytetarët të cilët jetojnë në qytetet ku gjykatat riorganizohen do të vijojnë të marrin shërbimet si më parë nga Zyrat e shërbimeve gjyqësore.

Po ashtu, përmes zbatimit të Hartës së Re Gjyqësore synohet një shpërndarje e ekuilibruar e ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve, përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe specializimin e profilizimin e gjyqtarëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë për të siguruar një plan zbatimi të mirëmenduar që do të mundësojë jetësimin e plotë dhe me sukses te Hartës së Re Gjyqësore dhe të garantojë gjykata funksionale e shërbime e të efektshme për qytetarët. '- thuhet në njoftim.

Ora 10:59
Miratimi i hartës së re gjyqësore, Dhoma Avokatisë e kundërshton, mblidhet në orën 13:00

1644394900_drejtesia1.jpg

Pas miratimit të Hartës së re Gjyqësore, avokatët do të zhvillojnë sot në orën 13:00 një mbledhje për vendimet që do të marrin, për kundërshtimin e hartës së miratuar tashmë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?