TIRANË - Kriteret e reja të kompensimit të efektivëve të policisë që emërohen larg vendbanimit të tyre u miratuan me vendim të qeverisë, e cila paguan transportin, papunësinë e bashkëshortit apo bashkëshortes dhe qiranë e strehimit. Polici që emërohet larg vendbanimit të tij përfiton 10 mijë lekë në muaj në distancat 36 deri në 60 km, vlera shkon në 15 mijë lekë në muaj në rastet e largësisë nga 61 deri në 100 km, 20 mijë lekë për 101 deri në 150 km, 25 mijë lekë për distancat nga 150 deri në 200 km dhe 30 mijë lekë për distancat mbi 200 km. Përfitimi i pagesës vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin ku është i transferuar.
Megjithatë, kur një efektiv policie transferohet larg vendbanimit dhe për shkak të kësaj lëvizjeje bashkëshorti apo bashkëshortja humbasin punë apo e kanë të pamundur të punësohen, i jepet një pagë deri në çastin e punësimit. Paga merret në vlerën 50% të pagës minimale mujore në shkallë vendi kur vjetërsia e punës është mbi 1 vit punë dhe shtesë me 5% të kësaj page për çdo vit me 1 vit punë, por pa kaluar nivelin e pagës minimale në vlerë 40 mijë lekë. Megjithatë, nëse bashkëshorti apo bashkëshortja kanë vjetërsi pune mbi 10 vjet, do të mund të marrin vlerën 100% të pagës mesatare të vitit të saj të fundit të punës, por jo më shumë se 150% të pagës minimale, e cila përkthehet në 60 mijë lekë maksimalisht. Afati i këtij kompensimi varion nga 7 deri në 15 vjet, në varësi të kushteve.
Po ashtu policit të transferuar larg vendbanimit të tij i paguhet qiraja e banesës, në momentin që nuk i është siguruar ajo. Largësia minimale kur ky kusht konsiderohet i plotësuar është të paktën 36 km larg shtëpisë. Kur polici është vetëm dhe pa anëtar tjetër të familjes i paguhet qira banese me sipërfaqe deri në 44 m2, kur ka një person tjetër 56.5 m2, në rastet e 2 dhe 3 personave paguhet për 80 m2, me diferencë të papërfillshme nga njëra-tjetra. Kompensimi i qirasë bëhet pas paraqitjes së kontratës në vlerë jo më të madhe se vlera minimale e qirasë që llogaritet në bazë të vendit ku polici është i emëruar.
Komente
