TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar tetë muaj pas prezantimit të draftit, “Planin e menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, që për dhjetë vjet menaxhohet nga një Fondacion i ri, i krijuar sipas ligjit të trashëgimisë kulturore. Ky dokument ka hyrë në fuqi, duke u botuar edhe në fletoren zyrtare, në mbështetje të kushtetutës edhe të ligjit për “Trashëgiminë kulturore edhe muzetë”, pas diskutimeve të shumta nga specialistët e trashëgimisë.
Referuar “Ligjit të Trashëgimisë Kulturore”, neni 172 përcakton se, Fondacionet e posaçme të trashëgimisë kulturore, kanë si qëllim "Administrimin e pasurive të trashëgimisë kulturore, mbrojtjen, ruajtjen, restaurimin, vlerësimin e pasurive kulturore dhe dhënien në përdorim të drejtpërdrejtë, në mënyrë joshteruese, qoftë veç e veç. Ndërkohë, para disa muajsh ky plan menaxhimi u miratua edhe nga Këshilli Kombëtar i trashëgimisë, ku sipas drejtuesit të Institut të Arkeologjisë Luan Përzhita janë reflektuar të gjitha pikat e diskutuara nga specialistët e trashëgimisë mbi kërkimet shkencore, asestet dhe laboratorët apo edhe hapësirat e tjera, që kanë të bëjnë me ekspeditat arkeologjike.
Plani i ri synon të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkun Kombëtar të Butrintit 9,000 ha. Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në vitin 2018 Butrintin e kanë vizituar 211,500 persona. Deri në vitin 2023, Butrintin presupozohet që ta vizitojnë 300,000. Nga muaj janar 2020 çmimi i biletës për të vizituar Parkun e Butrintit është 1 mijë lekë. Të ardhurat vjetore nga biletat gjatë viteve të kaluar kanë arritur rreth 1,5 milionë euro. Ndërsa, edhe pse ministrja e Kulturës Elva Margariti, është drejtuese e planit të integruar të Menaxhimit nuk dihet ende sesa do t’i kushtojë shtetit shqiptar implementimi i Planit të Integruar të Menaxhimit për dhjetë vite.