Qeveria ka miratuar sot rritjen e pagave për punonjësit e pushtetit vendor. Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se të gjitha pagat e pushtetit vendor do të unifikohen në të gjitha bashkitë.
“Sot konkluduam një proces të rëndësishëm, i cili nisi që vitin që shkoi që ka të bëjë me pagat e pushtetit vendor. Është një reformë që merret me ristrukturimin e bashkive dhe stafeve të tyre në tre grupime të mëdhaja. E para një grupim që merret me planifikimin dhe monitorimin e politikave, një grupim që merret me funksionet që bashkia i kryen vetë dhe një grupim që bën ato funksione që bashkitë zgjedhin ti bëjnë vetë apo ti kontraktojnë.
Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë, duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomistë etj merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë.
Elementi tjetër është rritja e pagave të të gjitha bashkive dhe rritja e minimume dhe maksimumeve të reja për të gjitha bashkitë në nivele të unifikuara”, u shpreh ministri.
Po ashtu, ministri Mazniku njoftoi se është ngritur një grup pune që po merret me rishikimin e formulës për grantin që qeveria u ndan bashkive, duke thënë se ndarja në vitin 2025 do të bëhet me një formulë të re.
“Kemi ngritur grup pune që po merret me rishikimin e formulës për shpërndarjen e garantit. Në buxhetin e 2025 do ketë formulë të re dhe një nga elementët do jetë edhe treguesi i performancës. Asnjë bashki s’do marrë më pak para se një vit më parë”, tha Mazniku.