Mbledhje qeverie, foto arkiv

Politikë

VKM/ Urdhri i Mjekut, ngrihet Komisioni i Disiplinës! Pranë Ministrisë së Shëndetësisë, vendoset Komisioni i Apelimit: Do shqyrtojnë pretendimet për shkelje disiplinore në spitale

5 Shkurt, 16:44| Përditesimi: 5 Shkurt, 18:55

  • Share

TIRANË - Qeveria ka ndërmarrë nismën për ngritjen dy Komisioneve pranë ministrisë së Shëndetësisë, pas rasteve të abuzimit në sistemin shëndetësor dhe në spitale siç ishte rasti i skandalit të Onkologjikut.

Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit pranë Urdhrit të Mjekëve dhe ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, për të siguruar një proces të rregullt ligjor në shqyrtimin e pretendimeve për shkelje disiplinore dhe zbatimin e masave të tilla.

Komisioni i Disiplinës, që funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve, shqyrton shkeljet disiplinore të mjekëve, ndërsa Komisioni i Apelimit, që është pranë Ministrisë së Shëndetësisë, shqyrton ankimet kundër vendimeve të Komisionit të Disiplinës. Ky sistem i ri i ka kaluar disa kompetenca Ministrisë së Shëndetësisë, duke mundësuar një ndikim të drejtpërdrejtë të saj në proceset disiplinore ndaj mjekëve, që më parë ishin të pavarura. Mjekët mund të ankimojnë vendimet e Komisionit të Disiplinës në Komisionin e Apelimit, dhe vendimet mund të ankimojnë gjithashtu në gjykatën administrative. 

Më përpara Urdhri i Mjekut ka qenë totalisht i pavarur dhe vendoste ai nëse një mjek duhet të vijonte karrierën apo jo, pa ndërhyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Tani e ka ne dorë çekiçin Ministria e Shëndetësisë.

Komisioni i Disiplinës do të përbëhet nga 5 anëtarë, përfshirë përfaqësues të Urdhrit të Mjekëve, ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe shefin e shërbimit të mjekut në fjalë.

Kryetari emërohet nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve. Mandati i anëtarëve është 2 vjet, me mundësi rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e pasardhësve. Komisioni shqyrton ankesat për shkelje të etikës profesionale dhe merr vendime me shumicë votash. Hetimet disiplinore, sipas vendimit të qeverisë, duhet të përfundojnë brenda 30 ditësh.

Ndërkaq, Komisioni i Apelimit, që do të ngrihet pranë ministrisë së Shëndetësinë, ka 5 anëtarë, përfshirë përfaqësues nga ministria, Urdhri i Mjekëve, Fakulteti i Mjekësisë dhe një ekspert i jashtëm. Ky komision shqyrton ankesa ndaj vendimeve të Komisionit të Disiplinës dhe merr vendime të arsyetuara për pranimin ose shfuqizimin e vendimeve. Ankimet duhet të paraqiten brenda 10 ditëve nga marrja e dijenisë për vendimin e Komisionit të Disiplinës.

Sa i përket procedurave, Komisioni i Disiplinës merr vendime për shkeljet e etikës dhe të Kodit të Deontologjisë Mjekësore, dhe mund të japë masa disiplinore si paralajmërime, pezullime ose përjashtime.

Kurse, Komisioni i Apelimit mund të ndryshojë masën disiplinore ose të shfuqizojë vendimin e Komisionit të Disiplinës.

Lajmi ne perditesim...

Vendimi i qeverisë: 

PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT TË DISIPLINËS DHE TË KOMISIONIT TË APELIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 16, të ligjit nr.123/2014, “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I.  DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton rregullat për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës pranë Urdhrit të Mjekëve dhe Komisionit të Apelimit pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

2. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregullat për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Disiplinës dhe të Komisionit të Apelimit, duke siguruar një proces të rregullt ligjor për shqyrtimin e pretendimeve për shkelje disiplinore dhe zbatimin e masave disiplinore, në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin shëndetësor.

3. Ky vendim zbatohet për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucionet shëndetësore publike dhe jopublike në Republikën e Shqipërisë.

4. Organet disiplinore, sipas ligjit, janë “Komisioni i Disiplinës”, që ngrihet dhe funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve, si edhe “Komisioni i Apelimit”, që ngrihet dhe funksionon pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

II.  KOMISIONI I DISIPLINËS

1. Komisioni i Disiplinës funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, të cilët kanë përvojë në fushën e mjekësisë ose në fushën juridike, si më poshtë vijon:

a) 3 (tre) përfaqësues të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve, me përvojë apo specializim në çështje të etikës dhe të deontologjisë mjekësore;

b) 1 (një) përfaqësues i emëruar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, me njohuri në fushën shëndetësore ose në procedurat administrative;

c) Shefi i shërbimit të specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.

2. Kryetari i Komisionit të Disiplinës miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

3. Për të qenë anëtar i Komisionit të Disiplinës kërkohet që ai të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde, që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit.

4. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Disiplinës është 2 (dy) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.

5. Anëtari i Komisionit të Disiplinës heq dorë ose përjashtohet nga ky komision, sipas parashikimeve që rregullojnë pengesat ligjore, të Kodit të Procedurave Administrative.

6. Në rast largimi të parakohshëm të ndonjë anëtari, organi i emërtesës emëron një anëtar të ri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Anëtari i ri qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit.

7. Komisioni i Disiplinës funksionon si organ kolegjial, me të paktën 3 (tre) anëtarë dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë votash.

8. Komisioni i Disiplinës shqyrton ankesat në lidhje me veprimet e kryera nga mjekët gjatë ushtrimit të detyrës, që bien ndesh me parimet e etikës profesionale apo Kodin e Deontologjisë Mjekësore.

9. Ankesa/kërkesa për fillimin e procedimit disiplinor ndaj mjekut, në lidhje me shkeljen disiplinore të pretenduar, të plotësojë këto kushte:

a) Të jetë me shkrim;

b) Të identifikojë mjekun, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen  disiplinore;

c) Të përcaktojë veprimin konkret, që pretendohet se përbën shkelje disiplinore, dhe rrethanat e kryerjes së tij.

10. Ankesat anonime nuk pranohen për shqyrtim.

11. Komisioni i Disiplinës fillon kryesisht procedimin disiplinor për mjekun, ndaj të cilit është regjistruar një procedim penal, për të cilin vihet në dijeni institucioni shëndetësor ose Urdhri i Mjekëve.

12. Brenda 5 (pesë) ditëve nga regjistrimi i kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor, kryetari i Komisionit të Disiplinës njofton mbledhjen e këtij komisioni.

13. Komisioni i Disiplinës asistohet nga sekretariati teknik, i cili verifikon nëse kërkesa i plotëson kushtet formale të parashikuara në pikën 9, të kreut II, të këtij vendimi, dhe përgatit një relacion me shkrim për komisionin.

14. Kërkesa që nuk plotëson këto kritere konsiderohet e metë. Komisioni i Disiplinës njofton kërkuesin/iniciuesin e procedimit disiplinor me shkrim, duke i caktuar një afat, jo më shumë se 7 (shtatë) ditë për plotësimin e të metave të konstatuara. Në rast se të metat plotësohen brenda afatit të caktuar, afati për fillimin e procedimit disiplinor do të konsiderohet data e plotësimit të këtyre të metave.

15. Në rast se konstatohet mosplotësim i kritereve formale, kryetari i Komisionit të Disiplinës merr vendim për mospranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor.

16. Nëse ankesa e depozituar plotëson kushtet formale, të parashikuara në                  pikën 9, të këtij kreu, Komisioni i Disiplinës  merr vendim për fillimin e hetimit disiplinor dhe njofton mjekun për fillimin e procedimit. Afati i përfundimit të procedimit disiplinor është 30 (tridhjetë) ditë dhe fillon të ecë nga momenti që merr vendim për fillimin e hetimit disiplinor.

17. Komisioni i Disiplinës heton e gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara e të seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit të Mjekëve, subjekt i procedimit disiplinor.

18. Komisioni i Disiplinës mbledh dhe verifikon çdo dokumentacion të nevojshëm, që ka lidhje me çështjen, objekt hetimi, dhe nëse e konsideron të nevojshme, thërret për dëshmi mjekun e akuzuar, pacientin (ose përfaqësuesin e tij ligjor), familjarët apo të afërm të tjerë të pacientit, si edhe çdo person tjetër që vlerësohet se ka informacion të rëndësishëm për hetimin.

19. Kur çështja kërkon ekspertizë specifike, Komisioni i Disiplinës, nëse e konsideron të nevojshme, kërkon mendimin e specialistëve të fushës mjekësore përkatëse për të vlerësuar veprimet e mjekut që po procedohet, në përputhje me standardet, udhëzimet e njohura profesionale, si edhe protokollet mjekësore. Po kështu, kërkon informacione shtesë nga institucione të tjera shëndetësore, autoritete rregullatore dhe organe profesionale për të siguruar të dhëna plotësuese të rëndësishme për hetimin.

20. Komisioni i Disiplinës ka të drejtë të kryejë inspektime në vendet e punës, ku mjeku ushtron veprimtarinë mjekësore, për të vlerësuar kushtet e punës, pajisjet e respektimin e standardeve profesionale dhe etike të kërkuara.

21. Komisioni i Disiplinës përgatit një raport të plotë me përshkrimin e procesit hetimor, gjetjeve, dëshmive dhe rekomandimeve, i cili përfshihet në dosjen disiplinore të mjekut dhe u njoftohet edhe palëve të tjera, pjesëmarrëse në këtë procedim.

22. Në rast se në përfundim të hetimit disiplinor vërtetohet se nuk ka shkelje disiplinore, atëherë Komisioni i Disiplinës  merr vendim për ndërprerjen e ecurisë disiplinore.

23. Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë shkelje të tjera, Komisioni i Disiplinës jep një nga masat disiplinore, të parashikuara nga neni 17, i                                ligjit nr.123/2014, “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

24. Në përfundim të procedimit disiplinor, Komisioni i Disiplinës merr vendim të arsyetuar, i cili i njoftohet mjekut, subjekt i procedimit disiplinor. Vendimi përfundimtar i organit disiplinor përmban këto të dhëna:

a) Organin që ka marrë vendimin;

b) Identifikimin e mjekut ndaj të cilit është marrë masa;

c) Bazën ligjore;

ç)  Shkeljen faktike;

d) Masën e marrë;

dh) Arsyetimin e vendimit dhe shpjegimin e fakteve, që janë bërë shkas për marrjen e vendimit;

e) Të drejtën dhe afatin e ankimimit ndaj vendimit të Komisionit të Disiplinës.

25. Vendimet e Komisionit të Disiplinës ankimohen brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i arsyetuar në Komisionin e Apelimit, që ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

III. KOMISIONI I APELIMIT

1. Komisioni i Apelimit ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, me të drejtë rizgjedhjeje, si më poshtë vijon:

a) 2 (dy) përfaqësues të zgjedhur nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;

b) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Urdhri i Mjekëve;

c) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Fakulteti i Mjekësisë;

ç) 1 (një) ekspert i jashtëm, i specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.

2. Komisioni i Apelimit shqyrton ankesat ndaj vendimeve të Komisionit të Disiplinës dhe siguron një vlerësim të pavarur, duke përfshirë seanca dëgjimore dhe mbledhje provash të nevojshme.

3. Për të qenë anëtar të Komisionit të Apelimit që ai kërkohet të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit.

4. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Apelimit është 2 (dy) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.

5. Anëtari i Komisionit të Apelimit heq dorë ose përjashtohet, sipas parashikimeve që rregullojnë pengesat ligjore, të Kodit të Procedurave Administrative.

6. Në rast largimi të parakohshëm të ndonjë anëtari, organi i emërtesës emëron një anëtar të ri brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Anëtari i ri qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit.

7. Komisioni i Apelimit funksionon si organ kolegjial, me të paktën 3 (tre) anëtarë dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë votash.

8. Çdo akt drejtuar Komisionit të Apelimit vlerësohet si ankim edhe nëse nuk është emërtuar shprehimisht si i tillë, por del nga përmbajtja e këtij akti dhe është mjaftueshëm i qartë. Ankimi paraqitet në formë të shkruar dhe përmban:

a) adresimin e ankesës në Komisionin e Apelimit;

b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e ankuesit dhe/ose të përfaqësuesit të tij, në rastin e personave fizikë;

c) vendimin e Komisionit të Disiplinës, kundër të cilit paraqitet ankimi;

ç)  parashtrimin e objektit dhe shkaqeve të ankimit;

  d) aktet procedurale, të cilat i bashkëlidhen ankimit, të tilla si:

i. akti i përfaqësimit, në rast se ankimi paraqitet nga përfaqësuesi i zgjedhur i ankuesit;

ii. kopje të vendimit të Komisionit të Disiplinës, objekt ankimi;

iii. dokumente, prova apo materiale të tjera që shoqërojnë ankimin, në origjinal ose të njësuara me origjinalin.

dh) nënshkrimin e ankuesit ose të përfaqësuesit të tij, në rast se ankimi paraqitet prej këtij të fundit, sipas tagrave të dhënë shprehimisht në aktin e përfaqësimit.

9. Komisioni i Apelimit asistohet nga sekretariati teknik, i cili verifikon nëse ankimi plotëson kriteret formale të parashikuara më sipër. Ankimi që nuk plotëson këto kritere konsiderohet i metë. Kryetari njofton ankuesin me shkrim, duke i caktuar një afat 7-ditor për plotësimin e të metave të konstatuara. Në rast se ankuesi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, Komisioni i Apelimit vendos mospranimin e ankimit.

10. Komisioni i Apelimit në çdo rast nuk ka të drejtë t’ia kthejë për rishqyrtim ankesën Komisionit të Disiplinës.

11. Komisioni i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit të ankimit, vendos:

a) mospranimin e ankimit;

b) pranimin e ankimit dhe shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës;

c) ndryshimin e masës disiplinore, dhënë nga Komisioni i Disiplinës në një masë më të lehtë.

12. Vendimi i Komisionit të Apelimit në çdo rast është i arsyetuar.

13. Vendimet e marra nga Komisioni i Apelimit publikohen, në mënyrë të anonimizuar, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe të Urdhrit të Mjekëve.

14. Kundër vendimit të Komisionit të Apelimit lejohet ankim në gjykatën administrative kompetente brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja dijeni për vendimin.

15. Ankimi në gjykatë nuk pezullon zbatimin e vendimit të Komisionit të Apelimit.

IV. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

1. Anëtarët dhe kryetari i Komisionit të Disiplinës marrin shpërblim, sipas përcaktimeve në vendimet e Këshillit Kombëtar për pagesat dhe honoraret e komisioneve të përhershme pranë Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.

2. Anëtarët dhe kryetari i Komisionit të Apelimit marrin shpërblim, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Urdhri i Mjekëve dhe të gjitha institucionet shëndetësore publike e jopublike  për zbatimin e këtij vendimi.

        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?