Qeveria paketë ligjore kundër ndërtimeve pa leje: Konfiskohet ose shembet objekti dhe ndërtuesi rrezikon burg

23 Korrik 2020, 20:41| Përditesimi: 23 Korrik 2020, 20:55

  • Share

Kush ndërton me pa leje, duke tejkaluar masën 50% të sipërfaqes totale, ndërtesa do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit, ndërsa ndërtuesi do të ndiqet penalisht. Kush ndërton pa leje, duke tejkaluar me 2 % sipërfaqen ndërtimore pe leje, do t’i prishet objekti, do paguajë gjobë të barabartë me vlerën e ndërtimit pa leje si dhe do të ndiqet penalisht.

Kështu parashikon paketa më e fundit ligjore e qeverisë, për goditjen e abuzimeve me ndërtimet, shkeljet me lejet e ndërtimi dhe çdo formë cenimi të pronës publike.

Ndryshimet ligjore janë prezantuar sot nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Do të bëhen ndryshime në ligjet për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit si dhe në Kodin Penal.

Ministrja Gjonaj tha se ndryshimet ligjore vijnë edhe pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

"Nisur dhe nga fatkeqesia natyrore e 26 nëntorit 2019 si pasojë e shembjes së një sërë pallatesh e një sërë ndërtesash u vu re një boshllëk ligjor që nuk ndante përgjegjësitë dhe rolet e gjithë subjekteve që merrnin pjesë në zinxhirin e projekteve zhvillimore dhe ndërtimore, përfshirë këtu ndërtuesit, projektuesit, kolauduesit  apo edhe inxhinierët dhe të gjithë subjektet e këtij procesi", tha Gjonaj.

Përveç përcaktimit të përgjegjësive për çdo shkelje, do të ketë edhe një listë të zezë me ndërtuesit e abuzues.

"Një risi në tërësinë e kësaj pakete është përfshirja në një listë të zezë të gjithë atyre projekteve zhvillimore të cilët ndërtojnë apo zhvillojnë veprimtari ndërtimore në kundërshtim me ligjin dhe lejet", tha Gjonaj.

Ministri Lleshaj tha se policia tashmë do të fokusohet edhe tek zyrtarët e lartë të implikuar në ndërtime pa leje.

"Policia nuk do të merret thjeshtë dhe vetëm me atë që bëjnë mëkate në fushën e ndërtimit por dhe me zyrtarët që mbyllin një sy apo bashkëpunojnë në mënyrë korruptive me ata që shkelin ligjin në fushën e ndërtimit", tha Lleshaj.

Ministrja Balluku u ndal tek detajet e paketës ligjore.

"Projektuesi është përcaktuar për të mbajtur përgjegjësi profesionale nëpërmjet lidhjes së një kontrate sigurimi për çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij. Një pjesë e mirë e ndërtesave nuk përmbushin kushtet për mbrojtjen nga zjarri apo kushte antisizmike", tha Balluku.

Ndryshimet ligjore do të paraqiten së shpejti në formë projektligjesh në Kuvend, për t’u shqyrtuar dhe miratuar.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mondi: 19/09/2020 06:57

    Mirë e keni që do nxirni ligje te reja por edhe ato ligje qe jane ne fuqi po te zbatohen nuk do te ndodhnin gjithë Këto fatkeqësia nga termetit.Përgjegjësia kryesore per lejen per ndryshim destinacioni nga shtëpi banimi ne lokal shërbimi mbetet e bashkisë qe i jep te drejtën banorit te katit te parë të heqi muret mbajtjes te pallatit per t'a kthyer në lokal.Rezultatin e tregoi termetii 26 mentorit.

    Përgjigju
  • Eli: 24/07/2020 03:38

    Qeveria aprovon ligje edhe shume te mira por nuk zbatohen Ndertmet pa leje i ndalon vetem bashkia e policia,por te dy palet jane te korruptuar,sidomos policet me shprese se do te zbatoni kete ligj per ata qe e shkelin

    Përgjigju
  • A. N.: 24/07/2020 00:15

    Pas 30vjetesh u kujtuan keta. Tani qe nuk ngeli as nje pellembe vend per tu ndertuar.

    Përgjigju
  • vjosa: 23/07/2020 23:56

    BRAVO QEVERISE ,,,POR ESHTE E vonuar ,,,ketu ne tirane e ne durres eshte bere per te vene duart ne koke,,,,,nuk ka mbet katunar e malok pa zene toka buke per te bere shtepi,,,,c'fare ka paraqitur kjo kronike ,,te gjitha ato shtepi te shemtuara pa leje duhen shembur,,,askush nuk mund te vije e te ndertoje pa leje ne bashki dhe pa projekt......duhen prishur nja 2 milion shtepi qensh.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?