Qeveria plan me 4 pika për rritjen e kreditimit të ekonomisë! Fokusi te bujqësia

14 Maj, 16:34| Përditesimi: 14 Maj, 16:46

  • Share

Afro 7.4 miliardë euro përllogaritet portofoli i kredisë së dhënë nga bankat tregtare për bizneset dhe qytetarët. Kjo vlerë thotë Banka e Shqipërisë në 5 vitet e fundit është rritur me mbi 2.2 miliardë euro. Guvernatori Gent Sejko, thotë se zgjerimi i kreditimit vijon edhe pse sektori është përballur me shumë kriza.

“Portofoli i kredisë për sektorin privat është rritur në një vlerë kumulative prej 40%, në 5 vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit të shkuar, kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 8%, rritje e cila ka kërcyer pranë nivelit 12% në tremujorin e parë të këtij viti. Përfshirja financiare është luftë kundër informalitetit, është modernizim, dhe digjitalizim, sjell rritje të numrit të qytetarëve me llogari bankare”, shprehet Sejko.

Pavarësisht se portofoli i kreditimit të ekonomisë është në zgjerim, përsëri është i pamjaftueshëm. Për këtë arsye Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave po diskutojnë planin me 4 shtylla për shtimin e kreditimit, kundrejt sektorëve që kanë më shumë nevojë, siç është edhe bujqësia.

“Së pari, ky sektor duhet të jetë edhe më aktiv sa i përket kreditimit dhe mbështetjes së mëtejshme të zhvillimit të ekonomisë, veçanërisht të atyre sektorëve që kanë edhe më shumë nevojë për mbështetje. Së dyti, i duhet kushtuar vëmendje e posaçme alokimit sa më efecient të fondeve, drejt sektorëve më produktivë të ekonomisë, por gjithashtu edhe duke adaptuar dhe zgjeruar praktika të aplikuara tashmë në masë të gjerë në vendet evropiane, siç janë ato që kanë të bëjnë me financimin e gjelbër dhe të qëndrueshëm. Së treti, paralelisht me rritjen e kreditimit, për të cilin po dakordësojmë një plan të përbashkët me Bankën e Shqipërisë, si edhe përmirësimin e alokimit të fondeve, në drejtim të rritjes së përfshirjes financiare të popullsisë. Dhe së fundi, inovacioni, digjitalizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i shërbimeve, kur jetojmë në Botën e Fintech dhe inteligjencës artificiale, duhet të mbetet një prioritet i sektorit bankar. Dhe paralelisht me këto zhvillime, i duhet kushtuar vëmendje edhe rritjes së vazhdueshme të sigurisë kibernetike, tha Mete.

Këto detaje u bënë të ditura në aktivitetin e 25-vjetorit të krijimit të Shoqatës së Bankave, ku u theksua se ky sektor i ka përballuar me sukses 4 krizat e forta të 15 viteve, si kriza financiare globale e vitit 2008, kriza greke, në vitet 2011-2013; tërmeti dhe pandemia Covid-19 si dhe, pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë.

TOTALI I KREDISË PËR EKONOMINË
Mars 2023          5,252,536,324 euro
Mars 2024          7,469,366,533 euro
Rritja                  2,216,830,209 euro

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?