Kryeministria

Qeveria propozon ligj mbi zonat për përmirësimin e biznesit, përfitime edhe për turizmin

26 Janar 2019, 07:26| Përditesimi: 26 Janar 2019, 10:59

  • Share

Me një ligj të posaçëm, të hedhur në diskutim me grupet e interesit, qeveria shqiptare mendon të hapë dritën jeshile për krijimin e Zonave për Përmirësimin e Biznesit (‘BID’). Ky është një koncept inovator që ka fituar terren në planifikimin e qyteteve perëndimore përsa i përket vetëorganizimit dhe vetërregullimit të bizneseve, duke përcaktuar zona të veçanta ku bizneset vetëorganizohen, me synimin për një menaxhim më cilësor të zonës në lidhje me shërbimet publike bazë të ofruara dhe për shërbime shtesë që mundësohen nga ky vetëorganizim sipas konceptit BID.

Projektligji paraqet për herë të parë konceptin e BID në Shqipëri dhe është hartuar me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (Albanian-American Development Foundation (“AADF”), i cili ka angazhuar ekspertë britanikë (Kompania ‘The Means’) në fushën e veprimtarisë së BID-eve.

Projektet

Aktualisht, në Bashkitë Berat, Korçë, Krujë, Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër, po zbatohen projektet “Business Improvement District - BID” ose “Zonë për Përmirësimin e Biznesit”, në marrëveshje me AADF dhe në këtë marrëveshje janë përfshirë katër elemente kyçe: Përmirësim infrastrukturor; zhvillim i sipërmarrjes nëpërmjet vetëorganizimit të biznesit; zhvillim i lidershipit nëpërmjet shoqatës së BID (partneritet publik privat); mbështetjeje për kulturën dhe ekoturizmin.

Tiparet

Zonat kanë katër tipare dalluese të përbashkëta: Autoriteti i tyre për të vepruar mbështetet në ligj; mbështetja ligjore e shprehur ndihmon legjitimitetin e konceptit të ri BID; drejtohen nga sektori privat, por përkrahin parime të bashkëpunimit me pushtetin vendor; aktivizojnë përdorimin e fondeve private të konsiderueshme, të cilat më përpara shfrytëzoheshin pak dhe shtojnë bazën e fondeve në mënyrë të tillë që të gjitha palët e interesuara mund të japin edhe më shumë kontribute.

BID është konceptuar si një tërësi kontraktore, e krijuar mbi bazën e institutit ligjor të “shoqërisë së thjeshtë” dhe nuk ka personalitet juridik.

Modeli BID u zbatua për herë të parë në Toronto në vitin 1970. Tashmë modeli është zgjeruar në një sërë vendesh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Gjermani, Mbretëria e Bashkuar, vende të cilat kanë miratuar një kuadër ligjor të posaçëm, të nevojshëm për krijimin dhe rregullimin afatgjatë të BID. Qëllimi është gjithmonë i njëjtë: bashkimi i bizneseve lokale në një hapësirë të vetme duke krijuar kështu një ofertë më atraktive për çlodhje, pazare, destinacion turistik, duke rritur konkurrueshmërinë e këtyre zonave. Avantazhi më i madh i zonave BID/TID është që janë krejtësisht lokale, duke ndihmuar kështu në prioritarizimin e nismave që prekin drejtpërdrejt komunitetin dhe për të përballuar më mirë edhe shërbime të tilla shtesë si pastrim, mirëmbajtje e siguria e zonës, marketimi i përbashkët.

Zonat

Sot në Shqipëri janë të zbatuar disa projekte sipas modeleve BID (në disa raste TID – Tourism Improvement Districts – njëlloj me BID) dhe ndikimi i tyre i menjëhershëm është ndjerë jo vetëm tek rritja e xhiros ditore të bizneseve, rritja e numrit të vizitorëve, rritja e numrit të të punësuarve, por edhe tek rritja e vlerës së pronës dhe dëshirës së bizneseve për të investuar më shumë. Modelin amerikan të BID/TID në Shqipëri e ka sjellë AADF, i cili e ka iniciuar projektin me zonat BID në pedonalen e Shkodrës dhe Korçës në vitin 2011, më pas në pedonalen e Beratit në 2013, në Pazarin e vjetër të Krujës në 2014 dhe Korçës e Tiranës në 2015, në qafën e Pazarit në Gjirokastër në 2016 dhe në zonën historike të Vlorës në 2017.

Përfitimet

Disa nga indikatorët kryesorë ekonomikë të modelit janë: 800 biznese të prekura nga modeli BID në Shqipëri; 70% rritje të numrit të vizitorëve në zonë; 60% e vizitorëve të huaj, të cilët kanë interes për trashëgiminë kulturore Shqiptare, vizitojnë zonat BID/TID; 50% rritje të vlerës së pronës në zonat BID dhe TID. Për çdo 1 dollar të angazhuar në zonat BID dhe TID nga AADF, sipërmarrësit e zonës janë përgjigjur me rreth 2 USD investim në bizneset e tyre. Për çdo 1 USD të angazhuar në zonat BID dhe TID nga AADF, qeveria shqiptare dhe pushteti lokal janë përgjigjur me rreth 6 USD investim në zonat BID dhe TID në Shqipëri.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?