Foto ilustruese

Qeveria propozon ndryshimin e ligjit për turizmin! Në strukturat akomoduese do përfshihen edhe AirBnB dhe vilat! Subjektet pa licencë gjobë deri në 400 mijë lekë

3 Tetor 2023, 17:44| Përditesimi: 3 Tetor 2023, 19:50

  • Share

Qeveria propozon ndryshimin e ligjit për turizmin, pas mos deklarimit të numrit real të dhomave të dhëna me qira dhe fshehjes së të ardhurave. Me ndryshimet e reja propozohen gjoba për këto shkelje në vlerën 150 mijë lekë. Asnjë subjekt nuk do lejohet të japë dhomë apo apartament me qira për turistët nëse s'ka licence të posaçme nga Ministria e Turizmit.

Në projektligj propozohet që pjesë e strukturave akomoduese të mos jenë vetëm hotelet, motelet, resortet, kampingjet apo dhomat e ofruara nëpër agroturizma, por të përfshihen edhe apartamentet që ofrohen nga qytetarët për akomodimin e turistëve që kanë në përbërje një dhomë, kuzhinë dhe të paktën 1 tualet.

Po ashtu pjesë e listës do të jenë edhe një bllok apartamentesh (2 ose më shumë) që menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik.

Për herë të parë propozohet që të përfshihen në ligj edhe dhomat që jepen me qira për pushuesit, pavarësisht se janë brenda një ndërtese rezidenciale apo një ndërtese banimi.

Nëse do miratohen ndryshimet e propozuara edhe Vilat, strukturat akomoduese të vendosura në objektet e trashëgimisë kulturore apo strukturat akomoduese që ofrojnë shërbimet e mikpritjes për vizitorët, të përbëra nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, ekzistuese, afër njëra tjetrës, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik.

Referuar projektligjit të gjitha këto struktura akomoduese të lartpërmendura duhet të regjistrohen në QKR dhe brenda 30 ditësh duhet të aplikojnë për të marrë certifikatë pranë Ministrisë së Turizmit.

“Çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin. Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin te kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën”, thuhet në nenin 43 të këtij projektligji.

Për të gjitha strukturat akomoduese që ushtrojnë aktivitetin pa marrë licencë pranë ministrisë do të aplikohen penalitete si më poshtë:

a)            Ushtrimi i veprimtarisë si strukturë akomoduese pa certifikatë kategorizmi, sipas nenit 43/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:

i.              nga 1 deri në 5 dhoma me 20 000-50 000 lekë

ii.             nga 6 deri në 15 dhoma me 100 000 lekë;

iii.            nga 16 deri në 40 dhoma me 200 000 lekë:

iv.            nga 41 deri në 80 dhoma me 300 000 lekë;

v.             mbi 80 dhoma me 400 000 lekë.

b)            përdorimi i paautorizuar i shënjave dalluese në strukturën akomoduese, pa u kryer procesi i klasifikimit sipas nenit 45 dënohet me gjobë 200 000 lekë;

c) ushtrimi i veprimtarisë si agroturizëm pa certifikatën përkatëse sipas nenit 45/1 dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:

i. deri në 5 dhoma 50 000 lekë;

ii. mbi 5 dhoma 100 000 lekë.

Për shkak të fenomenit që strukturat akomoduese të deklaruara por edhe ato të padeklaruara nuk raportojnë numrin e vizitorëve, në projektligj propozohet ndëshkim me gjobë edhe për këtë shkelje.

“Mosdeklarimi i të dhënave statistikore nga strukturat akomoduese për numrin e vizitorëve, numrin e netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, sipas nenit 66 dënohet me gjobë 150 000 lekë”, thuhet në germën R, të nenit 71.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?