Selia e PD

Politikë

Qeveria ‘Rama 4’ u betua te Begaj/ Dy qëndrimet në Grupin e PD, propozohen greva e përshkallëzim të aksionit! Ivi Kaso: Të shkarkohet Presidenti

19 Shtator, 12:07| Përditesimi: 19 Shtator, 13:01

  • Share

TIRANË- Opozita po bën gati strategjinë me të cilën do t’i përgjigjet mazhorancës, pas kaosit në Kuvend, ku programi i qeverisë Rama 4 u miratua në seancën që zgjati vetëm 25 minuta. Në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike, të mbledhur me urgjencë një ditë më parë, ka pasur një sërë propozimesh për mënyrën se si duhet të reagojë opozita.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije për Report Tv se diskutimi është ndarë në dy linja. Disa prej deputetëve si Bledion Nallbati, Saimir Korreshi dhe Gjin Gjoni kërkuan nisjen e përshkallëzimit të tensionit që në javët e para të legjislaturës së re, me greva, aksion deri në zyrën e Niko Peleshit dhe protesta jashtë saj.

Por, kjo ide është kundërshtuar nga një pjesë tjetër e deputetëve si Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Eno Bozdo, Ina Zhupa apo Belind këlliçi që kanë deklaruar se vendimi politik për betejë në institucione duhet të shoqërohet me akte institucionale fillimisht.

Ndaj kanë vendosur që të dërgojnë shkresa në ambasada, të kërkojnë përsëritjen e seancës, të kërkojnë shkarkimin e Peleshit dhe t’i kërkojnë Begajt që të mos dekretojë ministrat, kërkesë që siç u pa sot, ra në vesh të shurdhët.

Mësohet se Ivi Kaso ka kërkuar edhe nisjen e procedurave për shkarkimin e Begajt.

"Strumbullari i seancës është Bajram Begaj, me dekretimin që i bëri Diellës, të cilën ia la nën përgjegjësi Ramës. Prandaj ne duhet t’i japim një mesazh atij se nuk do e tolerojmë më. Roli i Presidentit sot nuk është respektim i Kushtetutës, por zgjatim i Kryeministrit. Ta nisim procedurën për shkarkimin e Presidentit, siç e parashikon edhe Kushtetuta, dhe ne i kemi numrat prej 35 deputetësh", mësohet të ketë thënë Kaso. 

Sakaq, Ina Zhupa ka propozuar që fjalimet që do mbaheshin në parlament të mbahen në seli, por kjo ide nuk u bë e mundur për shkak të logjistikës dhe kohës sepse do kërkohej të paktën 500 minuta kohë.

Seanca e së enjtes e cila ishte parashikuar të zgjaste 25 orë, u mbyll në 25 minuta. Kryeministri Edi Rama nuk arriti të prezantojë programin e qeverisë, pasi opozita nisi të protestonte pas një fjalimi virtual të ministres së parë nga Inteligjenca Artificiale, duke e mbyllur parakohe seancën me votimin pa debat të programit dhe kabinetit qeveritar Rama 4.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?