Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që i hap rrugën rikthimit në shërbimin aktiv ushtarakëve në rezervë.
Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, ka për qëllim të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit, edhe në kuadër të kritereve apo kushteve të NATO-s, anëtar i të cilës Shqipëria është.
Por a u ndërmorr ky ligj në kuadrin e faktorëve gjeo-politikë të ndryshuar në rajon dhe veçanërisht pas luftës Ukrainë-Rusi?
Deputeti socialist Denis Deliu, ish-oficer i forcave speciale dha detaje në emisionin “Repolitix” në Report Tv, për arsyet e miratimit të këtij ligji dhe se çfarë parashikon apo cilat kategori përfshin.
“Lufta në Ukrainë ndryshoi qasjen dhe mendësinë ushtarake dhe politike e çdo vendi të NATO-s, madje edhe në industrinë ushtarake. Por është edhe në kuadër të aleancës së NATO-s dhe plotësimit të kushteve dhe kritereve të saj. Ky ishte një kusht dhe kërkesë e NATO-s, ia ka kërkuar shumë vendeve jo vetëm Shqipërisë, për mbrojtjen dhe ndërthurjen mes popullsisë civile dhe forcave të armatosura. Kjo, për t’iu gjendur forcave të armatosura në situata humanitare, krizash etj. Këto forca parashikohet që të jenë pjesë mbështetëse e forcave të armatosura. Kjo parashikon edhe stërvitjen e tyre për situatat. Por kemi edhe ligjin e tërheqjes së ushtarakëve. Forcat rezerviste do jenë kapacitet shtesë për forcat e armatosura. Mund të jesh edhe mjek i mirë apo në fusha të tjera, që mund t’u shërbesh forcave të armatosura”, tha Deliu.
Ai shpjegoi edhe çështjen e ish-ushtarakëve që kthehen në forcë.
“Kurse ish-ushtarakëve të larguar u është bërë ligji që të rikthehen, sepse janë larguar për shkaqe të ndryshme, ndoshta edhe paga, kurse tani afrohen me kushte dhe pagë më të mirë”, shpjegoi ligjvënësi.
Ai foli edhe për situatën gjeopolitike në Europë, ku shumë vende po rikthejnë shërbimin ushtarak.
“Por është rikthyer në disa vënde edhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak, sikurse ka bërë Kroacia. Ne e kemi, por e kemi pezulluar, e kemi me 1 vit shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pra duhet hequr pezullimi aktualisht. Aktualisht kemi trupa me shërbime në disa vende me trupat tanë, me rotacione”, tha Deliu.
Artur Meçollari ndau disa detaje se çfarë parashikon forca rezerviste.
“Forca rezerviste ka natyrë ndryshe nga forca aktive. Forca rezerviste është 50% e asaj që është aktive. Pra nëse kemi 650 forca organike në ushtri, forcat rezerviste duhet të jenë nën 2700. Shqipëria ëhstë një vend i vogël dhe ka kapacitete për të dërguar numër të vogël forcash profesioniste në misionet e NATO-s”, shpjegoi ish-komandanti i flotës detare.
Kurse analisti Endri Tafani nënvizoi se ky kriter duhej plotësuar më herët:
“Ky është vendim dhe kriter i NATO-s. Shqipëria ka hyrë më parë në NATO sesa integrimi në BE. Ky kriter duhet të ishte plotësuar me kohë”, u shpreh ai.
Komente
