Sociale

VKM/ Qeveria rikthen në shërbimin aktiv ushtarakët në rezervë

28 Maj, 18:16| Përditesimi: 29 Maj, 00:38

  • Share

Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që i hap rrugën rikthimit në shërbimin aktiv ushtarakëve në rezervë. Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, ka për qëllim të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit.

Sipas këtij vendimi, ushtarakët që kanë qenë më parë në shërbim, oficerë, nënoficerë apo ushtarë dhe detarë, do të kenë mundësi të rikthehen në shërbimin aktiv kur strukturat ushtarake kanë nevojë për specialitetin apo përvojën e tyre.

Vendimi ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes për të publikuar thirrjet për pozicione të hapura në faqen e saj zyrtare, ndërsa aplikimi do të kryhet online përmes portalit e-Albania. Pas dorëzimit të dokumenteve, kandidatët do t’i nënshtrohen vlerësimit nga komisione përkatëse dhe kontrollit të sigurisë.

Kandidatët e përzgjedhur do të titullohen si ushtarakë aktivë, për t’u emëruar më pas në detyrën përkatëse. Ata do të ruajnë gradën që kanë pasur në momentin e daljes në rezervë dhe nuk do të kenë të drejtë për avancim gjatë periudhës së kontratës.

Vendimi gjithashtu parashikon se në rastet e mobilizimit të pjesshëm apo të përgjithshëm, rikthimi në shërbim mund të bëhet edhe pa aplikim, me njoftim të drejtpërdrejtë nga institucionet ushtarake.

Detaj i ri nga vendimi i qeverisë për rikthimin në shërbim të ushtarakëve në rezervë në rast mobilizimi

Në një zhvillim të ri të reflektuar në vendimin e fundit të qeverisë, janë përcaktuar në mënyrë të detajuar procedurat për rikthimin në shërbimin aktiv të ushtarakëve në rezervë, në rast të mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.

Sipas pikës III të vendimit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, bazuar në propozimet e strukturave përkatëse, harton planin për plotësimin e nevojave me personel, i cili më pas i përcillet për miratim Ministrit të Mbrojtjes. Pasi ky plan të miratohet, njoftimi për mobilizimin shpallet në median kombëtare dhe publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.

Qendra e Personel-Rekrutimit do të njoftojë individualisht ushtarakët në rezervë përmes postës elektronike dhe në formë të shkruar, duke i orientuar për vendin ku duhet të paraqiten për të vijuar me procedurat e emërimit në shërbim aktiv.

Ndërkohë, në dispozitat kalimtare të vendimit thuhet se, deri në ngritjen e infrastrukturës teknike për sistemin e të dhënave për humbjet dhe fatkeqësitë pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, procesi i aplikimit dhe ankimit do të zhvillohet fizikisht në Qendrën e Personel-Rekrutimit.

Ky vendim konsiderohet i rëndësishëm për të garantuar gatishmërinë në radhët e Forcave të Armatosura shqiptare sipas modeleve më të mira të vendeve të NATO-s.

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË MËNYRËS   DHE TË RREGULLAVE PËR RIKTHIMIN E USHTARAKËVE                  NË REZERVË NË SHËRBIMIN AKTIV TË FORCAVE  TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 31, të                             ligjit nr. 59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. TË PËRGJITHSHME

Ky vendim përcakton procedurat, mënyrat dhe rregullat për rikthimin në shërbimin aktiv të ushtarakëve në rezervë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar respektimin e parimeve të barazisë, meritokracisë dhe mosdiskriminimit, përmbushjen e nevojave me personel të kualifikuar, si dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent.

II. PROCEDURAT   PËR   RIKTHIMIN NË SHËRBIMIN AKTIV TË USHTARAKËVE NË REZERVË NË RASTET E SHTIMIT TË NUMRIT TË PËRGJITHSHËM TË PERSONELIT DHE KUR KËRKOHEN SPECIALITETE QË NDIKOJNË NË RUAJTJEN E OPERACIONALITETIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA

1. Për rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 31, të ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ndiqen procedurat, si më poshtë vijon:

a) Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mbështetur në propozimet e strukturave të Forcave të Armatosura, harton kërkesat dhe nevojat për rikthimin në shërbimin aktiv, sipas kategorisë së personelit të ndarë për oficer, nënoficer dhe ushtar/detar aktiv, me specialitete ushtarake dhe repartet që kanë nevojë për plotësim me personel dhe ia përcjell për miratim ministrit të Mbrojtjes.

b) Pas miratimit, Ministria e Mbrojtjes publikon në faqen zyrtare elektronike njoftimin me të gjitha të dhënat e nevojshme për specialitetet e kërkuara, afatin e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbim aktiv.

c) Kandidati aplikon nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke plotësuar formularin e aplikimit për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbim aktiv dhe dokumentacionin e nevojshëm brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e publikimit të njoftimit në faqen zyrtare elektronike të Ministrisë së Mbrojtjes.

ç) Qendra e Personel-Rekrutimit kryen verifikimin e dosjes të aplikimit brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i afatit të aplikimit. Në rast se konstatohet se dokumentacioni nuk është i plotë, kandidatit njoftohet nëpërmjet portalit “e-Albania” për plotësimin e dokumentacionit brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit. Në përfundim të afatit të njoftimit, Qendra e Personel-Rekrutimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i përcjell listën së bashku me dokumentacionin e aplikimit komisionit të vlerësimit, sipas pikës 2, të këtij kreu.

d) Strukturat e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me struktura të tjera shtetërore, kryejnë kontrollin e plotësimit të kushtit të sigurisë së kandidatëve për rikthim në shërbimin aktiv, sipas listave të dërguara nga Qendra e Personel-Rekrutimit.

dh) Komisioni i vlerësimit kryen procedurën e vlerësimit të kandidatëve brenda 10 (dhjetë) ditëve.

e) Pas përfundimit të procedurës së vlerësimit, komisioni i vlerësimit i përcjell Qendrës së Personel-Rekrutimit vendimmarrjen së bashku me arsyetimin përkatës për secilin kandidat.

ë) Qendra e Personel-Rekrutimit i njofton kandidatit, nëpërmjet portalit                   “e-Albania”, vendimin e komisionit të vlerësimit me vulë elektronike/nënshkrim elektronik, së bashku me arsyetimin përkatës.

f) Kundër vendimit të komisionit të vlerësimit ushtrohet ankim sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurave Administrative, nëpërmjet portalit “e-Albania”. Në përfundim të afatit të ankimit, Qendra e Personel-Rekrutimit i përcjell ankesat komisionit të shqyrtimit të ankimit sipas pikës 3, të këtij kreu.

g) Qendra e Personel-Rekrutimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të paraqitjes së ankimit, i njofton kandidatit vendimin e komisionit të shqyrtimit të ankimit me vulë elektronike/nënshkrim elektronik, nëpërmjet portalit “e-Albania”.

gj) Në përfundim të procedurës së vlerësimit dhe ankimit, Qendra e Personel-Rekrutimit dërgon listat e kandidatëve fitues në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

h) Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përgatit praktikën për miratimin e listës së kandidatëve fitues. Lista e kandidatëve fitues oficerë i përcillet për miratim ministrit të Mbrojtjes, ndërsa lista e kandidatëve fitues, nënoficerë dhe ushtarë/detarë, i përcillet për miratim Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

i) Pas miratimit, vijon procedura për titullimin ushtarak aktiv dhe emërimin në detyrë të kandidatëve fitues.

2. Komisioni i vlerësimit për kandidatët oficerë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndërsa komisioni i vlerësimit për  kandidatët nënoficerë dhe ushtarë/detarë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

3. Komisioni i shqyrtimit të ankimit për kandidatët oficerë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, ndërsa komisioni i shqyrtimit të ankimit për kandidatët nënoficerë dhe ushtarë/detarë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

4. Dokumentacioni i nevojshëm për vlerësimin e kandidatit është, si më poshtë vijon:

a) Formulari i vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr.138/2015;

b) Jetëshkrimi;

c) Vërtetimi i gjendjes gjyqësore;

ç)  Vërtetimi nga prokuroria që kandidati nuk është në procedim penal;

d) Vërtetimi nga gjykata e rrethit gjyqësor që kandidati nuk është në proces gjyqësor penal;

      dh) Vërtetimi që kandidati të mos jetë larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike;

e) Vërtetimi mjekësor;

ë) Fotokopje e noterizuar e dokumentit zyrtar (diplomës) që vërteton përfundimin e arsimimit përkatës së bashku me listën e notave;

f)  Fotokopje e noterizuar e kualifikimeve të nevojshme për specialitetin që kërkohet rikthimi në shërbimin aktiv.

5. Qendra e Personel-Rekrutimit siguron me autorizim të kandidatit dokumentacionin e përcaktuar në shkronjat “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 6, të këtij vendimi.

6. Rikthimi si ushtarak aktiv bëhet me urdhër të autoritetit, që ka të drejtën e titullimit oficer, nënoficer dhe ushtar/detar aktiv, sipas legjislacionit në fuqi për Forcat e Armatosura.

7. Ushtaraku, që rikthehet në shërbimin aktiv në Forcat e Armatosura, emërohet në detyrë në përputhje me specialitetin, si dhe nënshkruan kontratën e shërbimit.

8. Gjatë kohës së shërbimit si ushtarak aktiv brenda kontratës, ushtaraku i rikthyer gjatë gjithë periudhës së kontratës ruan gradën që ka pasur në kohën e daljes në rezervë dhe nuk ka të drejtë të konkurrojë dhe të përparojë në gradë.

III. PROCEDURAT   PËR   RIKTHIMIN NË SHËRBIMIN AKTIV TË USHTARAKËVE NË REZERVË NË RASTIN E MOBILIZIMIT TË PËRGJITHSHËM OSE TË PJESSHËM

Për rastet e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 31, të                                 ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ndiqen procedurat, si më poshtë vijon:

a) Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mbështetur në propozimet e strukturave të Forcave të Armatosura, harton planin për plotësim me personel të strukturave, sipas kategorisë së personelit oficer, nënoficer dhe ushtar/detar aktiv në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm dhe ia përcjell për miratim ministrit të Mbrojtjes.

b) Pas miratimit, njoftimi për rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm shpallet në median kombëtare, si dhe publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.

c) Qendra e Personel-Rekrutimit njofton me shkrim dhe përmes postës elektronike ushtarakun në rezervë për rikthim në shërbimin aktiv, duke adresuar zyrën ku duhet të paraqitet, për të vijuar me procedurën e emërimit.

IV. DISPOZITA KALIMTARE

1. Deri në momentin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme teknike për ngritjen e sistemit të të dhënave të humbjeve dhe fatkeqësive për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për kryerjen e procesit të aplikimit dhe ankimit nëpërmjet portalit “e-Albania”, proceset do të zhvillohen pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Qendra e Personel-Rekrutimit për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?