Politikë

Qeveria miraton Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030! Vendi do ndahet në 6 rajone turistike, prioritet turizmi elitar, jo më resorte me vila, por hotele me shërbime

31 Korrik, 17:36| Përditesimi: 31 Korrik, 22:18

  • Share

Në mbledhjen e sotme, Qeveria Shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një video-mesazhi ku shprehet se është finalizim i një pune dyvjeçare.

“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit”, njofton Kumbaro.

Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit. 

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

Oferta turistike e Shqipërisë 2030, do të orientohet drejt vizitorëve elitarë. Strategjia e turizmit 2024-2030, përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, përmirësim të ofertës turistike, marketing dhe disiplinim të ndërtimeve në turizëm.

Përtej ofertës turistike të detit dhe diellit, Shqipëria do të synojë të kthehet në një atraksion të ‘pazbuluar’ ku do të ndërthurur pasuritë natyrore, me ato të aventurës dhe më tej drejt kampingjeve të luksit.

Për të arritur në këtë stad vendit i duhen më shumë investime për të shtuar kapacitetet akomoduese, që me strategjinë e re nuk do të jenë më në fokus ‘fshatrat turistikë’ me vila 2-3 katëshe që po shtrihen në të katër anët e vendit, por resortet me hotele dhe struktura multifuksionale. (Pishina, restorante, shërbimet SPA, aktivitete argëtuese etj)

Kjo masë frenuese e resorteve aktuale që në qendër kanë vilat, dhe jo hotelet, sipas Ministrisë nuk i ka shërbyer turizmit, por vetëm tregut të pronave për shitje.

Vendi do të kalojë në fazën e resorteve me hotele, që ofrojnë edhe më shumë shtretër e kapacitete akomoduese, përmes një skeme të re investimi, që përfshin subvencione për mbulimin e normës së interesit të kredisë që marrin bizneset për këto investime, lehtësirat tatimore, proceset e thjeshtuara të dhënies së lejeve, e deri tek mekanizmat financiarë të tillë si PPP-të.

Po ashtu në strategji theksohet se duhet të punohet më shumë për të rritur cilësinë e shërbimit, ku ndihmë për këtë fazë do të jetë sistemi arsimor, që duhet të përshtatet me nevojat e tregut të shërbimeve thotë Ministria e Turizmit.

Për të garantuar standard në shërbim, është edhe një plan masash për të mbajtur punonjësit sezonal edhe jashtë sezonit. Propozimi është që shteti të kompensojë punonjësit edhe gjatë kohës që nuk janë në punë për shkak të mbylljes së sezonit.

Me gjithë këto investime, Ministria e Turizmit thotë se do të bëhet i mundur shtimi i numrit të shtretërve nga 270 mijë në vit, në 477 mijë në vitin 2030.

VKM:

V E N D I M PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR ZHVILLIMIN E TURIZMIT 2025–2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2025–2030 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe të gjitha ministritë e institucionet përgjegjëse, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • LIZ: 01/08/2025 10:00

    A MOS U NGOPSHI KOMUNISTAT I MARRSHIT NE VARR

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?