Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri i cili do të ndihmojë qindra të përndjekur të cilët kanë punuar në miniera gjatë burgosjes politike. Sipas nenit të shtuar, thuhet se: “Koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni, të njihet si punë e kryer në minierë në nëntokë. Periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje. Paga llogaritet sa paga e punës në minierë. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë”.
Kjo do të thotë se nëse një i burgosur politik ka punuar 5 vjet në minierë, për efekt pensioni atij do t’i njihen 10 vite, duke marrë si pagë, atë pagë të kohës për punonjësit e minierave. Nëpërmjet këtij projektligji njihet dhe garantohet e drejta për të përfituar pension për 264 ish-të dënuar politikë, të cilët kanë punuar në miniera, në nëntokë, gjatë kohës së vuajtjes dënimit në burgjet komuniste.
Nga të dhënat zyrtare të mbledhura nga Instituti i Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë rezulton se këta 264 persona përfitues, kanë vuajtur dënimin mesatarisht 7.5 vjet, në burgjet ku punohej në miniera, në nëntokë. Efektet financiare të projektligjit përllogariten përafërsisht në vlerën 4 milionë lekë për një muaj dhe do të mbulohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Projekt-Ligji i plotë dokumenti PDF