Për herë të parë, ligjvënësit nisën në komisionet parlamentare diskutimin për projektligjin që do të detyrojë prodhuesit e energjisë elektrike të japin një kontribut shtesë përgjatë periudhës së emergjencës energjetike, siç ka paralajmëruar më herët kryeministri Edi Rama.
Zv ministri i Energjisë Ilir Bejtja sqaroi në Komisionin për Veprimtarinë prodhuese se përmes të ashtëquajturit kontribut i solidaritetit do të krijohet një fond i veçantë që do të derdhet në një llogari të posaçme të buxhetit të shtetit dhe do të përdoret për paketa sociale për qytetarët dhe bizneset për të përballuar krizën energjetike.
‘Është një fond i cili krijohet për tu ardhur në ndihmë grupeve sociale, shtresave në vulnerabilë, gjithë konsumatorëve në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ajo që ka krijuar në mënyrë objektive tregu i lirë sot në Europë.’- u shpreh Bejtja.
Por demokratët e shohin me skepticizëm projektligjin që do të detyrojë prodhuesit e energjisë elektrike për të dhënë para shtesë. Madje për ta, ky fond rrezikon të përdoret për të blerë vota.
‘Justifikohet si masë e përkohshme ndërkohë që masa e përkohshme nuk do të ishte fare e nevojshme nëse do kishte pasur vullnet nga qeveria për të diversifikuar burimet e energjisë dhe do të ishte menaxhuar mirë kasketa e Drinit.’- tha Bushati.
‘Arsyeja e vërtetë ju duhet të thoni për të ngritur kokën lart. Ju duhet ta thoni se shumë shpejt do të vijnë zgjedhjet vendore dhe ju ju duhen para për të manipuluar për të blerë për të bërë presion, Ju duhen para, qoftë për ndihmën ekonomike qoftë për shtresat në nevojë, ato që keni bërë në zgjedhjet e kaluar. U duhen para pasi nuk keni më para në buxhetin e shtetit.’- u shpreh Xhelal Mziu.
Por si do të përllogatitet, ajo që qeveria e quan taksë të jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë elektrike?
Sipas projektligjit, Masa e kontributit të solidaritetit për vitin paraardhës përllogaritet nga prodhuesit e energjisë duke filluar nga viti 2023:
a) llogaritet çmimi mesatar i ponderuar me sasitë respektive të shitjeve të energjisë elektrike gjatë vitit paraardhës;
b) llogaritet sasia e energjisë elektrike e shitur me çmime të liberalizuara gjatë vitit paraardhës;
c) llogariten të ardhurat shtesë të vitit paraardhës, duke zbritur çmimin mesatar të ponderuar të shitjes së energjisë nga çmimi 8.5 lek/kWh dhe shumëzuar me sasinë e shitur gjatë vitit paraardhës;
ç) llogaritet kontributi i solidaritetit duke shumëzuar të ardhurat shtesë të vitit paraardhës me normën 50%.
Kontributi i solidaritetit do të paguhet përmes dy kësteve, ndërsa në rast refuzimi, qeveria në projektligj parashikon edhe sanksione.