Kolaudimi

Ekonomi

Qeveria tërhiqet nga koncesioni i kolaudimit, do ofrohet nga shteti! Ministrja: Ulim vlerën edhe për kontratat e tjera të parashikuara

23 Nëntor 2021, 14:54| Përditesimi: 23 Nëntor 2021, 15:00

  • Share

Qeveria është tërhequr nga koncesioni i ri i parashikuar në relacionin e projektbuxhetit  2022 për ndërtimin e infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore. Ky koncesion në vlerën e 20.295 miliardë lekëve, që ishte i listuar mes 7 kontratave të mundshme për të nisur në vitin që vjen është hequr nga lista për shkak se shërbimi ofrohet nga DPSHTRR. Ky saktësim është bërë i ditur në komisionin e Ekonomisë nga Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.

“Në listën totale shtesë të koncesioneve të cilat mund të zhvillohen, kemi hequr koncesionin e kolaudimit, i cili është një shërbim që kryhet nga DPSHTRR, dhe ishte i mbetur aty prej vitesh”, u shpreh Ibrahimaj në Komisionin e Ekonomisë.

“Ai është hequr se ishte gabim”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi.

Edhe për dy koncesionet e tjera të kësaj liste ai i segmentit rrugor Milot-Fier në vlerën e 178,2 miliardë lekë dhe ai i triportit Vlorë me vlerë 5.612 miliardë lekë, janë rishikuar.

“Kemi bërë disa rishikime në vlera për koncesionet për Aeroportin e Sarandës, për triport Vlorë dhe për rrugën Milot-Fier duke e zvogëluar vlerën e tyre”, tha Ibrahimaj.

Ndërkohë në listën e investimeve është saktësuar edhe vlera totale që do të ketë rruga e Arbrit, për të cilën herë pas here janë dhënë shifra të ndryshime.

“Kemi saktësuar shifrën e rrugës së Arbrit, e cila në tabelën e mëparshme kishte një vlerë  deri në fund të projektit. Është saktësuar vlera e rrugës që është 40.3 miliardë lekë me TVSH”, u shpreh ministrja e Financave.

Për vitin e ardhshëm vlera e pagesave për koncesionet aktive, do të jetë 13.8 miliardë lekë, nga 12.4 miliardë lekë që është vlera e parashikuar për këtë vit.

Pagesa më e madhe në vitin e ardhshëm do të shkojë për rrugën e Arbrit me 3 miliardë lekë, ndjekur nga skanimi në doganë me 2 miliardë lekë, më pas janë 3 miliardë lekë për koncesionet në shëndetësi  apo 1.5 miliardë lekë për inceneratorët.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?