Qeveria vendim të ri për pagën e punonjësve të burgjeve, si bëhet përllogaritja e kompensimit të ushqimit, rrugës dhe qiraja

27 Qershor, 07:00
  • Share

Tirane- Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të ri për miratimin e pagës bruto mujore dhe të kompensimit financiar që përfitojnë punonjësit e policisë së burgjeve të emëruar në intitucione të vuajtjes së dënimit larg qendrave të tyre të banimit.

Gjithashtu në këtë vendim është dhe procedura e përfitimit të këtyre kompensimeve, ku përfshihet dhe marrja me qira e një banese apo kompensimi ushqimor dhe i rrugës.

Sipas ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja përmes këtyre ndryshimeve punonjësit e sektorit të burgjeve do të përfitojnë rritje page nga data 1 korrik 2024.

“Nga kjo rritje page do të përfitojnë punonjësit e sektorit të burgjeve, ku përfshihen policia e burgjeve, stafet mjekësore dhe ato civile pra 3430 punonjës. Sipas  gradave, nga grada më e ulët inspektor tek grada më e lartë e drejtuesit të lartë. Rritja e pagave varion nga 13 – 27 %. Mesatarisht janë rritur 15.2 %' tha Manja. 

Po kështu me këtë vendim përcaktohet dhe sa do të marrin aspirantët

"Aspirantët, që ushtrojnë detyrën në Policinë e Burgjeve gjatë periudhës 1-vjeçare, pas përfundimit të trajnimit trajtohen në pagë, në masën 80% të pagës së gradës “inspektor”, që llogaritet si shumë e dy elementeve të pagës, pagës për gradë dhe shtesës për natyrë të veçantë pune, sipas pozicionit ku ushtrojnë detyrën" thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Paga për gradë
Ky vendim ka për qëllim miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Policisë së Burgjeve

Kështu tek paga bruto do të llogaritet
-“Paga për gradë”, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës
-Shtesa për natyrë të veçantë pune
 -“Shtesa për vjetërsi në shërbim”  1% pas cdo viti pune
-Llogaritja e shtesës për vjetërsi shërbimi bëhet mbi pagën e gradës “inspektor”, të rolit bazë.

Kompensimi nga qiraja e banesës tek udhëtimi
Punonjësit të policisë së Burgjeve i kompensohet shpenzimi i udhëtimit nëse nuk I garantohet transporti nga institucioni.
Kompensimi do të jetë në varësi të distancës

Distanca në kilometra      -  Masa e kompensimit në lekë për muaj
- Nga 36 km deri 60 km      -   3 000 lekë/muaj
- Nga 61 km deri 100 km    -  5 000 lekë/muaj
- Nga 101 km deri 150 km  -  8 000 lekë/muaj
- Nga 151 km deri 200 km  - 10 000 lekë/muaj
- Mbi 200 km                       - 15 000 lekë/muaj

Për të marrë këtë kompensim më parë punonjësi duhet të dorëzojë një sërë dokumentesh mes tyre dhe vërtetim se nuk banon në atë bashki ku ndodhet burgu. Gjithashtu punonjësve u është shtuar dhe një dokument i ri. Ata duhet të paraqesin Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi nuk ka aplikuar për legalizim banese në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.

Punonjësi i Policisë së Burgjeve e përfiton kompensimin për shpenzimet e udhëtimit deri në momentin e sistemimit me banesë në territorin e kësaj bashkie.

Puna mbi 36 km larg shtepise, i kompensohet dhe qiraja

Nëse transferohet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale në largësi mbi 36 km nga vendbanimi i tij i përhershëm atij I kompensohet dhe qiraja e banesës, në rastet kur fjetja, transporti dhe ushqimi nuk sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
 Masa e kompensimit për qiranë e banesës përcaktohet në varësi të personave në ngarkim që ka punonjësi, si më poshtë vijon:

Numri i personave në ngarkim -       Sipërfaqja e banesës për të cilën i kompensohet qiraja e banimit
 - I vetëm                                                                      43.93 m²
- Punonjësi dhe një person në ngarkim                      56.47 m²;
- Punonjësi dhe dy persona në ngarkim                     79.74 m²;
- Punonjësi dhe tre persona e më shumë në ngarkim 80.50 m².

Si perfitohet qiraja

Për të përfituar këtë qira, punonjësi i burgjeve duhet të paraqesë çertifikatën e gjëndjes së tij familjare si dhe paraqesë kontratën e qirasë, në vlerë jo më të madhe se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave, për qëllime tatimore.

Vlera minimale mujore e çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira do të përllogaritet në bazë të vlerës mesatare të shitblerjeve të banesave në tregun e lirë, sipas njësive administrative, të përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.

Një komision i vlerësimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve do të përcaktojë masën e qirasë duke përzgjedhur ofertën më të leverdisshme, mbi bazën e shqyrtimit të 3 ofertave të marra nga ky punonjës, nga 3 shoqëri imobiliare. Kontrata e qirasë së apartamentit nënshkruhet për një periudhë 6 mujore dhe bëhet në një zyrë noteriale, thuhet në vendim.

Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që përfiton kompensim për qiranë e banesës, nuk përfiton kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit.

Përfitimi i kompensimit për qiranë e banesës vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.

 Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi nuk ka aplikuar për legalizim banese në territorin e bashkisë ku ndodhet burgu, punonjwsi do e paraqesw dhe nw rastin kur do tw kwrkojw qira pwr baneswn apo

Trajtimi me ushqim pa pagesë ose kompensim

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i siguron punonjësit të Policisë së Burgjeve, në rastet kur transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit, trajtimin me ushqim pa pagesë: 
- Me një vakt, kur kohëzgjatja e punës së punonjësve të Policisë së Burgjeve është 8 (tetë) orë;
- Me tri vakte, kur punonjësit e Policisë së Burgjeve janë të angazhuar në shërbime apo gatishmëri dhe kohëzgjatja e shërbimit ose e gatishmërisë zgjat 24 (njëzet e katër) orë.
Normat e ushqimit ditor të kalorive për të gjithë punonjësit përfitues, miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për Policinë e Burgjeve dhe të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Në rastet kur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk siguron trajtimin me ushqim pa pagesë, punonjësit i jepet një kompensim në vlerë monetare për shpenzimet e ushqimit, për ditët efektive të punës.

Vlera e kompensimit (në lekë) të shpenzimeve të ushqimit bëhet bazuar në normën e përcaktuar ushqimore dhe miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Drejtorisë së Burgjeve dhe nga fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.

Vendimi i datës 26 qershor 2024, “Për Miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore, të kompensimeve të tjera financiare, që përfitojnë punonjësit e policisë së burgjeve gjatë qëndrimit në punë, dhe procedurave të përfitimit të këtyre kompensimeve”

Shfuqizon vendimin nr.920, datë 25.11.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë e shtesa mbi pagë dhe për procedurën e kompensimit financiar gjatë qëndrimit në punë të punonjësve të Policisë së Burgjeve”, të ndryshuar

Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ngarkohen për zbatimin e tij. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024. /Ketu VKM/

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?