Qeveria shqiptare ka marrë disa vendime të rëndësishme në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave ditën e djeshme (9 janar).
Mes tyre është edhe ai që ka të bëjë me ‘kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme”, që preken nga ndërtimet e legalizuara, me vlerë mbi 1 mld lekë dhe sipërfaqe rreth 9 hektarë, në të paktën 19 drejtori Kadastre në rrethe.
Propozimi është bërë nga vetë kryeministri Edi Rama. Teksa kabineti qeveritar ka vendosur miratimin e pronarëve:
“Vendoset kompensimi financiar i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara, në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Lezhë, Kamzë-Vorë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Sarandë, Gjirokastër, Kavajë, Shkodër, zonat e stimuluara, Kuçovë, Korçë, Kukës, Krujë, Vlorë dhe Fier”.
Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 011 135 159,99 lekë (një miliard e njëmbëdhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë presje nëntëdhjetë e nëntë) lekë, për sipërfaqen 88 358,4 (tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e pesëdhjetë e tetë presje katër m²) rreth 9 hektarë.
Në vendim renditet edhe lista e shpjeguar e sipërfaqeve dhe numrave përkatës që shpronësohen nga qeveria.
Dhe më tej theksohet se ‘kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë’.