Sociale
Speciale

SPECIALE/ Qilimat e Kukësit shiteshin si sixhade persiane në komunizëm, pas çdo punimi artizanet qëndisnin shtetin ku eksportoheshin

8 Shkurt, 11:19| Përditesimi: 8 Shkurt, 11:42

  • Share

KUKES- Barie Ahmetaj dhe Safete Bilalaj janë ndër dëshmitaret e fundit të historisë së artizanatit të prodhimit të qilimave dhe sixhadeve në Kukës.

Janë karakteristike dhe të lashta motivet popullore që përdoren në prodhimin e qilimave dhe sixhadeve, me kombinime shumëngjyrëshe me shije te hollë artistike, të cilat nuk mund të gjenden në asnjë zonë tjetër në Shqipëri. Kanë qenë gratë e Kukësit që e kanë ruajtur këtë traditë duke e përcjellë ndër breza.

Në periudhën e sundimit komunist artizanët, që deri në atë kohë punonin brenda ambienteve të banesave të tyre dhe që prodhonin produkte vetëm për përdorim personal dhe familjar, u grupuan dhe organizuan në kooperativa artizanati, që pas disa vitesh u kthyen në ndërmarrje shtetërore artistike.

Në vitet 1963 në Kukës filloi të funksiononte një ndërmarrje artizanati e madhe, e cila kishte 1000 punëtore në qytet dhe 200 në fshatin Bicaj. Kjo ndërmarrje punonte kryesisht për eksport. Artikujt që prodhonte ishin sixhade, qilima, punime artistike me kashtë, thupra shelgu e tjerë.

Sixhadetë dhe qilimat e prodhuara nga artizanet kuksiane kanë qenë me famë në të gjithë Evropën. Qilimat e Lumës në Kukës janë shitur jashtë vendit si sixhade persiane, duke shfrytëzuar patentën e Iranit ndërsa kanë prezantuar me dinjitet Shqipërinë në panairet e Evropës, në të cilat janë vlerësuar edhe me çmime prestigjioze.

Në fillim të viteve 1990, ndërmarrjet artistike u mbyllën dhe zejtaria e humbi shkëlqimin e dikurshëm si profesion. Me ndryshimin e sistemit politik, në vitin 1992, kjo ndërmarrje pushoi së punuari dhe prodhimi u ndërpre për afro 20 vjet. Famës së dikurshme nuk i mbeti asgjë tjetër veç këngës “Artizane e Lumës” e mjeshtrit Ramazan Zyberi. Pjesa më e madhe e artizanëve e braktisën tërësisht profesionin ose e ushtronin atë vetëm si aftësi për të përmbushur nevojat e ekonomisë familjare.

Industria e prodhimit të tapeteve pushtoi edhe Shqipërinë. Madje në vitet 90 ishin më të pëlqyera se punimet e dorës.

Pak gra vazhduan të mbajnë traditën gjallë dhe duke prodhuar në shtëpitë e tyre, qilima dhe sixhade, veshje popullore dhe punime të tjera dore, me qëllim ruajtjet e traditës që mbështetet në motivet e hershme, por edhe duke e pasuruar atë me motive të reja në përputhje me trendet e kohës dhe kërkesat e tregut.

Barie Ahmetaj dhe Safete Bilalaj, dy artizane të vjetra bashke me disa gra dhe vajza prej disa vitesh kanë ri zgjuar interesin e harruar për “thesaret” e punuara me dorë të artizaneve kuksiane.

Artizanet nuk reshtin së punuari edhe ndërkohë që i intervistojmë. Koha është shumë e vlefshme për to.

Barie Ahmetaj punon me të njëjtin pasion si 40 vite më parë e po kështu e shpjegon dhe endjen e një sixhadeje të vogël.

Copëza të historisë së kësaj tradite u janë treguar edhe një grupi turistësh nga Singapori dhe Malajzia. Ata zgjodhën të vizitojnë Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Prizren, ku u njohën me pjesën e shqiptarëve të Kosovës, udhërrëfyesi i njoftoi se do të udhëtojnë drejt Kukësit ku brenda një punishteje të vogël fshihen thesare të çuar të pasurisë kulturore të Shqipërisë.

Këta turistë vijnë nga vende ku sixhadet e qilimat prodhohen nga fabrikat. Ata shprehen:

“Jam shumë e lumtur që erdha këtu sepse për mua është hera e parë që shikoj këtë lloj punimi të sixhadeve. Dhe jam shumë e habitur nga numri i ngjyrave që ju përdorni dhe kombinimi i tyre kaq mirë.”

“Sigurisht që është shumë bukur, por është edhe një punë shumë e ngarkuar. 3 muaj për të përfunduar një qilim janë shumë, kur në ditët e sotme ekzistojnë një shumëllojshmëri makinerish. Është vërtet e admirueshme. Zakonisht ne importojmë gjithçka.”

“Mendoj se është punë me shumë ngarkesë. Shohim se duhen muaj për të realizuar një sixhade të tillë. Dhe nuk është aspak e lehtë. Veçanërisht kur shoh zonjën duke punuar. Është shumë ndryshe, më pëlqejnë shumë njerëzit këtu, është si një moment kur rikthehesh në të shkuarën, njerëzit janë shumë miqësorë. “

“Mendoj se është shumë këndshëm sepse prezanton kulturën tuaj, traditën e cila nuk ka humbur.”

Pavarësisht vlerësimeve për punën e dorës dhe përkushtimit në kohë për të realizuar një qilim tradicional, shitjet janë të vakëta. Kushtojnë më shumë se prodhimet e dala nga fabrika dhe eksporti është ende treg i pa rregulluar.

Interesimi i vajzave të reja për t’u ulur kështu siç bëjnë Barie e Safete është shumë i vogël. Megjithatë të gjitha këto artizane i mban shpresa dhe besimi se tradita nuk do të zhbëhet, por do të vazhdojë.

 

S.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?