Mbrëmjen e së shtunës, atmosfera festive dhe shpirtërore ka mbërthyer Kishën Ortodokse "Shën Harallambi" në Sarandë, ku qindra besimtarë janë mbledhur për të kremtuar Ringjalljen e Krishtit, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar.
Ceremonia ka nisur në orët e vona të mbrëmjes me meshën e shenjtë dhe është kulmuar me momentin e shumëpritur të marrjes së dritës së bekuar, simbol i fitores së jetës mbi vdekjen dhe i shpresës së re. Në një atmosferë solemniteti dhe gëzimi, besimtarët kanë mbushur oborrin dhe ambientet e brendshme të kishës me qirinj të ndezur në dorë, duke përcjellë mesazhin e paqes, dashurisë dhe besimit.
At Kozmai, gjatë predikimit të tij, theksoi rëndësinë e Ringjalljes si një moment reflektimi shpirtëror dhe ripërtëritjeje të vlerave të besimit, mirësisë dhe mëshirës. Ai uroi që kjo festë t’u sjellë të gjithëve paqe në zemër dhe forcë për të përballuar sfidat e jetës.
Kremtimi i Pashkës Ortodokse në Sarandë është kthyer tashmë në një traditë të dashur për komunitetin, ku përveç aspektit fetar, sjell edhe një ndjesi të fortë bashkimi mes qytetarëve dhe një përjetim të veçantë të shpirtit të kësaj feste.
Me përfundimin e meshës dhe ndarjen e dritës, besimtarët janë larguar nga kisha duke uruar njëri-tjetrin me fjalët tradicionale: “Krishti u ringjall!” – “Vërtet u ringjall!”, duke përçuar kështu simbolikën e kësaj nate të bekuar.
Lajmi kryesor:
Krishti u Ngjall! Mijëra besimtarë ortodoksë e katolikë kremtojnë Pashkët në mbarë vendin! Kryepeshkopi Joan e Arqipeshkvi Dodaj mesazhe shprese (VIDEO)
H.K/E.H/ReportTv.al
