Ministri i Migracionit në Britaninë e Madhe, Robert Jenrick deklaroi ditën e djeshme se plani duhej të ishte për kthimin e varkave apo gomoneve të cilat mbërrinin në tokën britanike nëpërmjet kanalit La Mansh.
426 emigrantë të tjerë kaluan kanalin të hënën, numri më i madh në dy javët e fundit. Ai e çon totalin që nga fillimi i vitit në 42,588, krahasuar me 28,526 në të gjithë vitin 2021, shkruan Daily Mail.
Një numër tjetër i pakonfirmuar mbërriti dje pavarësisht dukshmërisë së dobët në korsinë e ngarkuar të transportit. Sipas ministrit, emigrantët duhej të kapeshin teksa përpiqeshin të kalonin me gomone dhe të ktheheshin menjëherë në një port francez. Këto deklarata u kritikuan nga ana e qeverisë franceze, e cila pretendon se kështu shkelet ligji ndërkombëtar detar.
Ish ministrja e Brendshme, Priti Patel deklaroi në Prill se një plan i tillë ishte lënë mënjanë por nuk përjashtohej mundësia e shqyrtimit.
Shqiptarët përbëjnë një numër të madh të emigrantëve të paligjshëm të cilët mbërrijnë në Britaninë e Madhe, përkatësisht një të tretën e tyre. Ndërsa Britania e Madhe ngulmon që shtetasve shqiptarë mos t’u shqyrtohet kërkesa për azil duke qenë se Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt.