Dy ditë më parë u prangos nga policia pronari i “Alba Exotic Fruit” Eduart Dauti, kompanisë së cilës i janë kapur qindra kg kokainë në konteinerët me banane në 6 raste të ndryshme.
Eduart Dauti njihet nesër në orën 10:30 me masën e sigurisë. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta mëson se ndaj Dautit SPAK kërkon të mbetet në fuqi masa e dhënë në mungesë, ‘arrest me burg’
Dauti është arrestuar 2 net më parë në një restorant pas Casa Italia. I kërkuar prej muajsh nga policia për llogari të SPAK por lëviztë i lirë dhe u gjet në restorant. Të gjithë e dinin jashtë vendit, por Eduart Dauti i shpallur në kërkim për drogë prej disa muajsh, u kap në një lokal pranë një qendre tregtare në dalje në Tiranës. Nuk dihet saktësisht se si Dauti ka hyrë brenda territorit pasi që në momentin e parë të shpalljes person në kërkim, ai u arratis jashtë kufijve.
Eduart Dauti është administrator dhe aksioner me 90% i kompanisë “Alba Exotic Fruit”. 10% të aksioneve i ka Barjon Gumeni, i arrestuar në 13 korrik 2021, pas kapjes së ngarkesës së radhës me kokainë në kontejnerin e kompanisë. Barjon Gumeni ka ndryshuar emrin dhe është vëllai i Eduart Dautit.
Në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme. I fundit ishte ai i 12 tetorit 2021 që u kapën 10 kilogramë kokainë. Më herët, në 7 shtator u kapën 7.7 kg, në 13 korrik u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera. Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën 7.25 kilogramë kokainë.
Kompania 'Alba Exotic Fruit' rezulton e përmendur edhe më parë në 'historinë' me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.