Qindra materiale filmike edhe fotografike, djali i Ilia Tërpinit rrëfen të pathënat e të atit: Dua të bëj një muze

11 Gusht 2018, 18:34| Përditesimi: 11 Gusht 2018, 23:01

  • Share

Ilia Tërpini njeriu i dashuruar pas kamerës që në fëmijëri, ka lënë pas një thesar. Një thesar, në të cilin është gjithë historinë e Shqipërisë nga viti 1959 në ish-Kinostudion Shqipëria e Re, deri në momentet e fundit që u nda nga jeta në korrik të vitit 2018. Gjendemi në studion e tij, të cilën e ka ndërtuar në vitin 1994. Nuk ngjan me asnjë studio tjetër fotografie. Të gjitha sendet që ka përdorur janë aty. Dashuria e fortë, që kishte për aparatin edhe kamerën, duket në çdo objekt fotografik dhe filmik. Në këtë intervistë për kamerën  e “Reporttv” djali i tij fotograf, Zhani Tërpini, na rrëfen të pathënat e Ilia Tërpinit.

Babai largohej shpesh nga shtëpia dhe nga familja. Këto largime kanë qenë të vazhdueshme, qëkur ai ka filluar punë për herë të parë në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”, si operator. Largimet e tjera kanë qenë një javë, dy muaj, më shumë ka qenë larg shtëpisë, se brenda. Por këto largime kanë bërë që pavarësisht se ai ishte larg, qëndronte afër me vëllanë me mamanë, me mendime dhe ndihmë. Kjo distancë, me aktualitetin që babai nuk jeton edhe nuk është afër familjes është një thyerje, goditje me të cilën duhet që të mësohet. Në kuptimin që është afër nesh gjithmonë edhe zëri i tij është një gjë që vjen, sepse ka lënë shumë mësime edhe edukatë që janë brenda trurit tonë.

Zhani Tërpini, djali i Ilia Tërpinit

VIDEO/Intervista e plotë me Zhani Tërpini

Operatori që kishte lindur me syrin e kineastit ka qenë asistent-regjisor i rreth  25 filmave artistikë edhe 50 dokumentarë.

Fillesat e tij nuk i ka pasur në ish-Kinostudio, por që në fëmijëri ai ka pasur një aparat që ia dhuruan italianët në fshat gjatë luftës italo-greke. Ai e mori këtë aparat edhe aty ishin shkënditë edhe idetë e para, që babai im nisi të mësohej. Gjithmonë  e kishte aparatin si çantë, por qëllimi i tij ishte që të bëhej operator në ish-kinostudio. Për të hyrë në ish-kinostudio nuk hyje lehtë, duhet që të shihje se çfarë aftësie ke për t’u bërë operator apo regjisor. Unë mbaj mend shumë skena, si tek filmi “Kush vdes në këmbë”, “Guna përmbi tela”, “Ballë për ballë”, ky i fundit ishte më i vështiri, sepse nuk kishte makijazh apo mjete të tjera ndihmëse. Gjatë daljes së nëndetëses, që nuk po dilte mbaroi filmi edhe komandanti që komandonte me radio nëndetëset bërtiste. Problemi është se nëndetësja kishte defekt edhe nuk dilte dot, vetëm një sekuencë e vogël ishte një ankth i madh. Kjo u bë në det të hapur. Atë ditë ishte një nga xhirimet më të vështira se nuk mundej që me një stativë të xhiroje në mes të detit. Ndërsa, ndjekja e celulës ishte xhirim i vështirë. Në teknologjinë e sotme këto gjëra janë shumë të lehta, por atëherë ishin shumë të thjeshta.

Zhani Tërpini, djali i Ilia Tërpinit

Por si e zbuloi aktoren Yllka Mujo, Ilia Tërpini për filmin i “Teti në bronz”?

Në fillim përcaktoheshin këndet, pastaj zgjidhen stafi, aktorët. Në një moment menduan se i kishin gjetur aktorët. U vendos se cila do të ishte. Ishin dy ditë para xhirimit të filmit. Por një ditë të bukur bashkë me mamin, kishin parë një opera. Pasi e panë operën dolën tek sheshi edhe po binte shi. Në atë moment babai u kujtua, për aktoren që do të bënte Yllka Mujo në filmin i “Teti në bronz”. Ndonëse ishte vendosur, por atëherë ishte koha që punohej për art. Ky ishte një talent i pazbuluar”.

Si e përjetoi Ilia Tërpini shpërbërjen e ish-kinostudios “Shqipëri e re” në fillimin e demokracisë?

“Në momentin që ish-Kinostudioja u shpërbë ai bleu një kamera. Sapo kishin filluar kamerat me ekran me HD e thjeshtë. Që në vitet ’90 nisën që të merren me xhirime të ndryshme apo gëzime. Por atë natë që ai mori kamerën që e bleu kishte marrë një kusi apo një tenxhere edhe lante kamerën natën. Ajo ishte kënaqësia e tij, që e hoqën nga një e bukur, nga një staf i dashur (edhe pse atë se hoqën por doli në pension), ai prapë vazhdoi deri në ditët e  fundit. Çantën, kamerën edhe me një shpejtësi kozmike filmonte”.

Disa nga xhirimet që nuk janë transmetuar asnjëherë?

“Kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës iku me vrap në ish-Kinostudio, e mori edhe e solli një kamera të monizmit. Në ato momente që iku edhe erdhi nuk kapi rënien e bustit, por kapi momentin që turma zbriti nga sheshi “Skënderbej”, aty isha edhe unë se merresha me fotografi, edhe derisa busti u transponua tek Qyteti Studenti. Ishte thjesht pasioni. Ai mund të ketë shumë materiale, më shumë të periudhës pas ’90-ës, që i ka të xhiruar nëse ka qenë në Shqipëri. Mund të them protestën e 21-janarit, protestën që u bë pas vrasjes së Azemit, aty kam qenë edhe unë”.

Si do t’i ruani këto materiale?

“Kënaqësia edhe ideja ime është që të gjitha materialet që ka xhiruar im atë, origjinalet duhet një bashkëpunim, që e ardhmja të mbetet si arkiv, si dokument historik, që njerëzit të shikojnë. Bashkëpunimi  im me shtetin mund të bëhet një marrëveshje private, sesa herë mund të shfaqet ose jo. Janë foto edhe xhirime unikale, që mund që të jetë xhiruar një ngjarje 2 orë edhe janë transmetuar vetëm 5 min”…

Arkiva e Ilia Terpinit është një pasuri kombëtare, që do të ndihmojë të gjithë brezat që do të vijnë. Dëshira e të birit është që të bëjë një muze me të, por vetëm një studio nuk mjafton.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?