Linjat e ndryshme të transportit ndërkombëtar duket se përdoren gjerësisht nga trafikantët për të lëvizur paratë e tyre, kryesisht, për të futur në Shqipëri, fitimet e realizuara jashtë vendit.
Për prokurorët italianë që kanë hetuar rastin e organizatave shqiptare që vepronin në jug të Italisë, bashkëpunëtori i Drejtësisë Nuredin Dumani, ka treguar së behej fjalë për një praktikë mjaft të përhapur.
Sipas tij, shoferi i autobusit që merrte përsipër transportin e një shume të caktuar, përfitonte zakonisht nga 10% deri në 12% të shumës nëse paratë lëviznin nga Italia në Shqipëri.
Ndërsa pagesa ishte më e ulët, rreth 3% deri në 4%, kur paratë duhej të lëviznin nga Shqipëria drejt Italisë:
P.M. DOTT. CARDINALI: Për këto ngarkesa, si arrinin paratë te ata që shisnin drogën? I paguanit më parë?
BASHKËPUNËTORI: "Ishte shumë e thjeshtë. Pagesa e parave ishte shumë e thjeshtë dhe mund ta shpjegoj. Kur paratë lëvizin nga Italia në Shqipëri ose nga Shqipëria në Itali, për të mos rrezikuar, duhet të paguash agjencitë e udhëtimit, siç janë autobusët ose minibusët. Transporti mund të bëhet edhe personalisht, domethënë mund ta bëj unë duke blerë një makinë të shtrenjtë dhe atë makinë mund ta çoj me tokë ose me traget. Por kështu është e rrezikshme. Me tokë është më e sigurt. Në port do ta çoja vetëm nëse kam dikë atje."
P.M. DOTT. CHIMIENTI: Dikë që...
P.G. GJONI: Që e kalonte?
BASHKËPUNËTORI: "Po. Ndërsa me autobusin paguaje 10% ose 12% të shumës. Ndërsa nga Shqipëria për t’i çuar në Itali është rreth 3-4%, është më e lehtë."
TEN.COL. OCCHIOGROSSO: Një pyetje lidhur me këtë çështje të autobusëve. Pra, kur shitet droga në Itali, paratë shkojnë në Shqipëri me autobusët, do të thotë përmes shoferëve të autobusëve?
BASHKËPUNËTORI: "Po."
TEN.COL. OCCHIOGROSSO: Dhe shoferët e autobusëve marrin një përqindje për transportin?
BASHKËPUNËTORI: "Po. Qoftë edhe nëse paratë kapen (sekuestrohen shën.), qoftë edhe nëse nuk kapen, ti duhet t’i paguash... sepse kjo është çështje e autobusit."
TEN.COL. OCCHIOGROSSO: Pra, rreziku mbetet...
BASHKËPUNËTORI: "Ja pse marrin 12%."
TEN.COL. OCCHIOGROSSO: Ah, në rregull. Dhe mund të tregosh cilat janë këto kompani të autobusëve?
BASHKËPUNËTORI: "Të gjitha."
TEN.COL. OCCHIOGROSSO: Të gjitha?
BASHKËPUNËTORI: "Po, po."
TEN.COL. OCCHIOGROSSO: Dhe a ke lëvizur ndonjëherë para përmes shoferëve të autobusëve nga Italia në Shqipëri?
BASHKËPUNËTORI: "Në Itali jo. Nuk kam dërguar dhe as kam marrë. Me Belgjikën po."
TEN.COL. OCCHIOGROSSO: Dhe a njeh shqiptarë që kanë lëvizur drogë dhe rrjedhimisht para nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas?
BASHKËPUNËTORI: "Kam një rast, në telefon, nuk e di nëse do të jetë e mundur ta gjejmë. Një mik imi që është vrarë në Belgjikë, më ka dërguar disa herë rroba sepse isha në kërkim dhe paratë m’i dërgonte me të njëjtën linjë autobusi dhe që më parë kishte transportuar shumë para, 500 mijë euro, 300 mijë euro, shuma të ndryshme. Nga 200 mijë deri në 500 mijë euro. Kjo linjë u kap. Por në atë rast nuk ishte shumë e madhe, vetëm ca, rreth njëzet mijë euro. Këto ishin vetëm për shpenzimet e mia."
Komente
