Përleshje gjatë protestës në Stamboll

Bota

Turqi, qindra të arrestuar gjatë demonstratave të 1 Majit në Stamboll

2 Maj, 07:44| Përditesimi: 2 Maj, 07:54

  • Share

Qindra persona janë arrestuar në Stamboll teksa po protestonin për Ditën Ndërkombëtare të Punës më 1 Maj, raporton BBC. Rreth 50 mijë oficerë policie u dislokuan në qytet dhe transporti publik u mbyll për të penguar qasjen në sheshin Taksim, ku protestat janë të ndaluara që nga vitit 2013. 

Pamjet nga kryeqyteti turk tregojnë përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve, ku demonstruesit brohorisnin ndërsa arrestoheshin dhe merreshin me forcë në automjete të policisë. 

Sheshi Taksim, zakonisht një pikë e ‘gjallë’ e qytetit, ishte i zbrazët, me dyqanet dhe restorantet të mbyllura dhe rrugët e bllokuara nga barriera metalike dhe rreshta policësh.

Disa sindikata pune u lejuan për pak kohë të hynin në shesh, duke mbajtur pankarta të kuqe dhe lule, përpara Monumentit të Republikës, që përkujton themelimin e Turqisë moderne në vitin 1923. Një nga folësit kritikoi ashpër ndalimin e protestave, ndërsa një makinë uji qëndronte pranë si paralajmërim për çdo përpjekje për tubime të tjera. Autoritetet konfirmuan se të mërkurën ishin ndaluar 100 persona të cilët dyshohej se planifikonin të protestonin në Taksim. Deri të enjten, numri i të arrestuarve arriti në 382 persona për “demonstrata të paautorizuara”.

Grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International ka kërkuar nga autoritetet turke të heqin ndalimin ndaj protestave në Taksim, duke i cilësuar arsyet e dhëna si “justifikime të pabaza për sigurinë dhe rendin publik”. Organizata i ka bërë thirrje qeverisë që të respektojë të drejtën për protesta paqësore dhe të ndalojë përdorimin e forcës kundër demonstruesve.

Tensionet në Turqi janë rritur që nga marsi, pas arrestimit të kryebashkiakut opozitar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivalit kryesor të presidentit Rexhep Tayyip Erdogan. Arrestimi i tij për korrupsion dhe terrorizëm, të cilat ai i mohon dhe i cilëson si politike, ka shkaktuar protesta masive në qytet. Imamoglu, që mban postin e kryetarit të bashkisë që nga viti 2019, është konfirmuar si kandidati i opozitës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Presidenti Erdogan, që është në pushtet për më shumë se 20 vjet, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president që nga viti 2014, nuk mund të kandidojë sërish pas vitit 2028, përveç nëse ndryshon kushtetutën turke.
 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?