Përmbytjet në Kosovë, Shqipëria dërgon Ushtrinë në Kukës! Rama: Në mbështetje të banorëve që janë prekur! Ndërhyjmë po qe nevoja (VIDEO)

20 Janar 2023, 12:18| Përditesimi: 21 Janar 2023, 09:45

  • Share

KOSOVË- Shqipëria i është gjendur pranë Kosovës edhe në këto të momente të vështira, ku ndodhet “nën pushtetin”  e ujit. Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi kanë bërë me dije se në rast të përkeqësimit të situatës do të ndërhyjnë, në koordinim me autoritetet e Kosovës.

“Trupat dhe mjetet tona të Forcave të Armatosura, për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”, shkruan kryeministri Edi Rama.

"Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës.Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira", shkruan Peleshi.

Zona më problematike ka qenë qyteti Skënderaj në Kosovë, ku janë shkatërruar godina si edhe janë dëmtuar makina. Mediat e Kosovës kanë siguruar pamje nga përmbytjet në Skënderaj. Ditën e djeshme u shpëtua një grua në Llaushë të Skenderajt nga dy zyrtarëve të komunës së Skenderajt. Edhe Mitrovica ka pësuar shumë dëme. Situata e krijuar që prej 19 janarit ka sjellë përkeqësime thuajse në të gjithë vendin. Disa familje janë evakuuar.

Ndërsa në Istog ka qëndruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka shkuar atje së bashku me dy ministrat e tij, Armend Mehaj e Elbert Krasniqi.

“Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme.Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.” – shkroi Kurti në Facebook.

 Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar. 

 

 

Ora 22:40
Ushtria në gjendje gatishmërie për të ndihmuar Kosovën pas përmbytjeve, deputetja e PDK-së: Shqipëri t’u rritë nderi

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pasi Shqipëria vendosi në gatishmëri ushtrinë në Kukës për të ndërhyrë nëse do të ketë përkeqësim nga situata e përmbytjeve në Kosovë.

“Shqipëri tu rritë nderi”, shkruan ajo.

Ora 22:14
Përmbytjet në Kosovë, Osmani viziton zonat e prekura: Do t'ju mbështesim

Presidentja Vjosa Osmani ka inspektuar zonat e përmbytura në Kosovë. Osmani ka qenë në komunën e Klinës, Skënderaj dhe Mitrovicë, tre zonat më të prekura nga përmbytjet.

Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur presidentja Osmani.

Ora 20:16
VIDEO/ Përmbytjet në Kosovë, Peleshi: Forca dhe mjete të FA janë vendosur në Kukës, gati të ndërhyjmë nëse situata përkeqësohet

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se disa forca dhe mjete të Forcave të Armatosura janë vendosur në Kukës, në mënyrë që të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në Kosovë nëse do të ketë një përkeqësim të situatës nga përmbytjet.

"Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës.Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira", shkruan Peleshi.

Ora 12:34
Përmbytjet në Kosovë, Balla: Lutem që jeta e çdo banori të jetë e sigurtë dhe dëmet e shkaktuar të jenë sa më të vogla

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka shprehur solidaritetin e tij lidhur me situatat e përmbytjeve të ndodhura në disa prej komunave të Kosovës. 

Balla përmes një postimi në rrjetin social facebook shkruan se është pranë qytetarëve në këto momente si dhe falenderon autoritetet përkatëse të cilat u kanë ardhur në ndihmë qytetarëve. 

“Në këto momente të vështira nëpër të cilat po kalojnë qytetarët në disa komuna të Kosovës, pas përmbytjeve e reshjeve të shiut, lutem që jeta e çdo banori të jetë e sigurtë dhe dëmet e shkaktuar të jenë sa më të vogla.  Falemnderit FSK-së, zjarrëfikësve, policisë, dhe atyre që janë pranë banorëve për ta tejkaluar gjendjen e vështirë”, shkruan Balla.

Ora 12:28
Shumë familje të evakuuara dhe shtëpi në rrezik nga përmbytjet në Kosovë, rreshjet e shiut pritet të vijojnë deri më 25 janar

Qeveria e Kosovës ka lajmruar zyrtarisht se situata më e vështirë është  në fshatrat Verboc dhe Barilevë të Komunës së Prishtinës dhe në fshatrat Sekiraç, Sibofc dhe Reçicë të Podujevës.

Edhe në komunën e  Klinës raportohen dëme të konsiderueshme dhe shumë familje janë evakuuar. Sipas njoftimeve zyrtare të autoriteteve vendase, thuhet se  janë evakuuar mbi 40 familje, kurse në fshatin Shtaric është shmangur një situatë e cila rrezikonte jetën e dy qytetarëve, falë ndërhyrjes në kohë të policisë. 

Edhe në lagje të ndryshme të Komunës Jugore të Mitrovicës raportohet se ka pasur përmbytje.

Ndërkaq, në Komunën Veriore të Mitrovicës, probleme më të theksuara janë paraqitur në Lagjen e Boshnjakëve ku janë rrezikuar 7 shtëpi.

Në Komunën e Zveçanit janë rrezikuar 40 shtëpi.

Në fshatrat Kutnje dhe Kernin i poshtëm të komunës së Leposaviçit 4 familje janë evakuuar dhe 20 shtëpi janë në rrezik, ndërsa në Zubin Potok 30 shtëpi janë në rrezik.

 Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar. 

F.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?