Gjeohapësira shqiptare, natyra, popullsia, transformimi ekonomik e të tjera aspekte të vendit, vijnë në një formë unike në botimin në anglisht “Gjeografia e Shqipërisë”. Dy studiuesit bashkautorë, Perikli Qiriazi dhe Dhimitër Doka prezantojnë vendin mes problemeve dhe perspektivave, për vendasit e të huajt.
“Ky është kurorëzimi i punës sonë. Kemi tërë jetën, bashkë me kolegun , ish-studentin tim Dhimitër Doka që punojmë për gjeografinë e Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë për këtë libër kemi dy vjet që po punojmë”, thotë Qiriazi.
Ishte shtëpia botuese Springer në Gjermani që kontaktoi studiuesit, për të realizuar edhe për vendin tonë një botim të tillë studimor, që ngjall interes jo vetëm tek studiues e akademikë, por edhe tek turistët e dashamirësit e tjerë që kërkojnë të zbulojnë më shumë për Shqipërinë.
“Para dy vjetësh na kontaktoi shtëpia e madhe botuese gjermane, që është ndër më të mëdhatë në botë për të bërë një botim të veçantë për Shqipërinë, pasi ata kanë serinë e plotë të të gjitha vendeve të botës. Ne jemi të lumtur që vendi ynë renditet ndër vendet që kanë mundur të realizojnë një botim të tillë. Është një analizë rajonale që trajtohet në mënyrë të veçantë e gjithë hapësira shqiptare në kompleksin e saj, sa nga natyra te popullsia e ekonomia, për problemet që ka, të kohës së sotme gjeografia e Shqipërisë”, shprehet studiuesi.
Jo vetëm puna studimore e një jete, por edhe referenca vendase e të huaja, kanë sjellë botimin në një formë të plotë.
'Kemi gjithë jetën që merremi me gjeografinë e Shqipërisë. Kështu që, janë punimet tona, studimet tona, botimet tona brenda dhe jashtë vendit, por që të gjitha kanë qenë për probleme të veçuara. Këtu kemi rastin ti trajtojmë të gjitha problemet të trajtuara në tërësinë e tyre. Padyshim që ka pasur dhe botime të tjera, madje edhe nga të huajt në fund të shekullit të XIX-të në fillim të shekullit të XX-të ka pasur autorë të huaj që kanë studiuar shkruar dhe botuar për Shqipërinë. Midis tyre dallohet gjeografi i famshëm gjerman Herbert Lui që botoi librin ‘Albanien’ në vitin 1927 në Lajpcig. Natyrisht ishte një arritje për kohën, por ndëkrohë mbarte vulën e kohës. Këtu në ndryshim nga të gjitha botimet që janë bërë deri tani do theksoja që janë trajtuar probleme gjeografike në këndvështrimin aktual, sipas koncepteve aktuale të standardit botëror, edhe sepse të tilla standarte kërkoi shtëpia e madhe botuese ‘Stringer’.- u shpreh Qiriazi.
Qiriazi rrëfen se ky është i pari botim që bëhet nga dy studiues shqiptar dhe është shpërndarë në të gjithë botën, sikundër edhe në Shqipëri.