Të gjithë bizneset që kanë aplikuar për të dorëzuar bilancet financiare pranë QKB deri në 3 gusht por që nuk kanë mundur ta depozitojnë atë për shkak të fluksit në sistem, do të mund ta dorëzojnë atë deri më 10 tetor. Qendra Kombëtare e Biznesit njofton se të gjithë subjektet që kanë marrë numrin e aplikimit do të kenë mundësinë që të depozitojnë pasqyrat financiare.
“Të nderuar subjekte, ju bëjmë me dije se, subjektet të cilët kanë aplikuar online për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar, nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 03.08.2020 dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), si dhe i është komunikuar me e-mail nga sistemi për mosvalidimin e pasqyrave financiare në momentin që është tentuar të bëhet dorëzimi brenda datës së përcaktuar nga ligji, por për shkak të fluksit të madh të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të tyre brenda datës 03.08.2020, lutemi që të depozitojnë pasqyrat financiare në bazë të kriterit të mësipërm, deri më datë 10.10.2020”, thuhet në njoftim.
Në total janë rreth 20 mijë biznese që duhet të dorëzojnë bilancet. Deri më 3 gusht të këtij viti ishin 19 mijë e 127 biznese që dorëzuan bilancet e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Nga këto bilance të dorëzuara u refuzuan për parregullsi në dokumentacion 1,535 aplikime, dhe u aprovuan 17,592 bilance. Ata subjekte që nuk kanë dorëzojnë në afat bilancin do të përballen me gjoba që sipas ligjit është 15 mijë lekë. Ndërkohë në vitin 2019 u dorëzuan në total 19.250 nga mbi 24 mijë që ishin pritshmëritë.