Pas daljes si forcë e tretë nga zgjedhjet e 14 majit, Lëvizja Bashkë është gati të japë maksimumin dhe të ecë përpara. Ky ka qenë mesazhi i kryetarit njëherësh pedagogut të Shkencave Politike, Arlind Qorit. I ftuar në Studio Live me gazetarin e Report Tv, Arbër Hitaj, Qori tregoi për një mbështetje në rritje nga qytetarët, gjë që e ka shtyrë Lëvizjen Bashkë të jetë edhe më aktive.
“Ne jemi tashmë një parti që ka marrë një pjesë të besimit të qytetarëve. Kemi shumë plane e vullnet. Pakënaqësitë janë të shumë anshme. Qytetarët e kanë mllefin e këtij 32 vjeçari.
Qytetarët janë të zhgënjyer nga partitë e vjetra dhe mezi shohin një rreze drite. Pasi ne arritëm të marrim gati 5% të votave në Tiranë edhe ata që nuk na votuan me mendësinë që “nuk çahen dot këta”, e kanë patur një shpresë.
Ne pas zgjedhjeve kemi pasur edhe më shumë mbështetje nga qytetarët.”- thotë Qori.
Ashtu siç edhe e kishte paralajmëruar, Arlind Qori nuk akuzoi askënd për vjedhje votash, ndërsa shtoi se u është borxhli qytetarëve të Tiranës për besimin.
“Ne hymë në zgjedhje me një parti që kontrollonte procesin zgjedhor. Ishte një zgjedhje një partiake në kuptimin e organizimit. Ne kemi mbrojtur çdo votë dhe nuk na është vjedhur asnjë votë. Kemi pasur debate me numëruesit socialist, mua psh më kanë hequr disa vota ku kishin 3 kutiza ndërkohë që Veliajt i kanë quajtur një fletë votimi që kishte të vizatuar një organ gjenital. Megjithatë ne nuk kemi ankesa serioze.
Jemi krenarë dhe borxhlinj ndaj qytetarëve të Tiranës.”- tha ai.
I pyetur nëse ka marrë ftesë me nismën e fundit të partive të vogla, që prezantua këtë të enjte, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, Qori e mohoi kategorikisht të bëhej pjesë e partive të vjetra që nuk kanë më asgjë për të ofruar, veçse pretekstin për të dalë në ekran.
“Ofertë s’kemi pasur. Sepse ne do refuzonim çdo oferte nga aktorë të vjetër të partive. Çfarë lidhje kam unë për shembull me Mediun? Unë nuk vdes të jem deputetet, unë besoj tek një politikë të ndershme. Mua këto iniciativat me duken si pretekst për të dalë në tv.”- tha ai
Lëvizja Bashkë do të vijë me protesta gjatë vjeshtës, paralajmëroi ai.
“Nga vjeshta do kemi një cikël protestash”- tha Qori.
Pyetje: Si mbijetoni financarisht?
“Unë lë në lëvizjen bashkë 6-7% të Lëvizjes Bashkë çdo muaj. Kështu si unë, bëjnë edhe anëtarët e LB por edhe gjatë fushatës na kanë ndihmuar, na kanë dhuruar. Kemi arritur të mbledhim 10 mln lekë të vjetra. Politika mund të jetë shumë modeste në financë. Jemi të gatshme që me mjete shumë të thjeshta të shkojmë kudo në Shqipëri dhe të lëmë fletushkat tona.”-tha Qori.