Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ka publikuar foto nga nisja e inskpektimeve në biznese të të gjitha niveleve për të siguruar faturimin e detyrueshëm tatimor për çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që del në treg.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe administrata tatimore përmes këtij aksioni të përbashkët synojnë të rrisin transparencën, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe të ulin informalitetin në sektor.
Denaj bëri të ditur se ky hap është pjesë e një strategjie të gjerë kombëtare që synon formalizimin e ekonomisë agroushqimore, rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore dhe garantimin e të drejtave të konsumatorit për ushqime të kontrolluara dhe të sigurta.
Sipas kësaj nisme, çdo operator i biznesit ushqimor, përfshirë edhe fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre, është i detyruar të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje të bërë.
“Faturimi elektronik bëhet forma standarde e raportimit dhe pritet të ndihmojë ndjeshëm në uljen e nivelit të informalitetit, duke mundësuar në të njëjtën kohë një ndjekje të saktë të zinxhirit të shpërndarjes së produkteve”, tha Denaj.
Autoritetet kanë bërë të ditur se subjektet që tregtojnë pa faturë tatimore do të përballen me kontrolle dhe masa ndëshkimore sipas ligjit “Për procedurat tatimore”.
“Ditën e sotme, në kuadër të aksionit të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore për formalizimin e ekonomisë, kanë nisur inspektimet në terren për të siguruar faturimin e detyrueshëm tatimor për çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që del në treg.
Kjo nismë garanton sigurinë mbi origjinën dhe përbërjen e produkteve ushqimore, për të mundësuar mbështetje fiskale për fermerët që zgjedhin të formalizohen, si dhe për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregun e brendshëm dhe atë të eksportit.
Kjo nismë përfshin:
- Çdo operator i biznesit ushqimor, përfshirë fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre, do të jetë i detyrueshëm të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje.
- Faturimi elektronik (E-fatura) do të jetë forma standarde e raportimit dhe do të ndihmojë në uljen e informalitetit dhe garantojë gjurmueshmërinë e tyre.
- Subjektet që tregtojnë produkte ushqimore pa faturë do të jenë objekt i kontrollit dhe ndëshkimeve sipas ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore”,- njofton Denaj.
Lajmi kryesor:
Bulmeti dhe mishi vetëm me faturë, nis aksioni në terren i Tatimeve
K.M/SI.E./ReportTv.al
