Që media kërkon të vetëkorrigjohet është një lajm i mirë

31 Maj 2022, 17:05| Përditesimi: 31 Maj 2022, 17:10

  • Share

Duhet të vinte kjo ditë dhe kjo dëshirë. Media dhe gazetarët duhet të vetëkorrigjohen. Tepër vite të kaluara në luftë me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht në luftë me vetveten. Tepër vite të kaluara në kaos, urrejtje, sulme dhe shpifje duke harruar se gazetaria është vetëm punë dhe dashuri. Dashuri e madhe që të çon në misionin e vështirë të rrugës drejt të vërtetës. Që është rruga më e vështirë. Vetëm ata që janë të mbushur me dashuri të pamatë për këtë punë, përkushtim e pasion, mund të stërvisin mprehtësinë e ndenjave, të vëzhgimit, të zbulimit dhe të afrimit me të vërtetën. Sepse kush nuk dashuron nuk ndjen dhe kush nuk ndjen nuk sheh dhe as nuk dëgjon. Ja ky është gazetari, dikush që dashuron, ndjen dhe shikon. Më shumë dhe më mirë se të tjerët.

Eshtë një shenjë e mirë që disa gazetarë po shohin atë që sot nuk shkon, edhe pse është e vështirë që këtë ta shohin edhe te vetja. Që do të ishte gjithashut një gjë e mirë. E megjithatë si fillim është për t’u përgëzuar. Që të niset e të kuptohet se një vijë e kuqe po shkelet prej kohësh nga gazetarë, të niset e të shënohet një epokë tjetër që ndoshta na çon në një rrugë të mbarë e në pozicionin që gazetarët dhe gazetaria duhet të rifitojë. Po çfarë ndodhi këto ditë?

Shpërndarja në një pjesë të medias të pamjeve të një të reje nga Librazhdi, e shantazhuar në mënyrë primitive, talebaneske, nga familjarë të saj në një moment intim, duket se ka shkelur vijën e kuqe të cënimeve të bëra tashmë rrugë në vite nga media në mënyrë jo profesionale dhe për këtë bien dakord gati të gjithë.  E megjithatë, të gjithë duhet të ishin bashkë për të kuptuar se video ishte vetëm shpërthimi i asaj që ndodh në një shoqëri ende të paemancipuar e që vuan pa kuptuar jetën dhe lirinë.

Refuzimi i përhapjes së këtyre pamjeve nga një pjesë e medias tradicionale dhe debatet dhe reflektimi nëpër televizione, është një shenjë e mirë, një fillim: A po i thërrasin mendjes gazetarët se për ethet e klikimeve, me publikimet e lajmeve që cënojnë dinjitetin dhe lirinë e njeriut, po shënojnë fundin e tyre dhe sigurisht të besueshmërisë?

Gjuha e dhunës, e shpifjeve, e gënjeshtrave që prodhohet nga politika, amplifikohet dhe ushqehet nga media, duhet të marrë fund, ndryshe, media në Shqipëri tashmë tepër e dëmtuar si nga forma dhe përmbajtja, mund të kalojë në një lëngatë pa ripërtëritje që dëmton veten dhe shoqërinë.

Eshtë një ligj i pashkruar që herët a vonë, atë që ua bën të tjerëve do të duhet ta përballësh mbi kurriz dhe media, ka arritur në këtë pikë. Ndërgjegjësimi dhe reagimi ndaj situatës, mund të sjellë ndonjë ndryshim.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?