Foto ilustruese

Bota

‘Qytet humanitar’ në Gaza, plani izraelit për deportimin: Zhvendosje e 600 mijë banorëve në Rafah

8 Korrik, 08:55| Përditesimi: 8 Korrik, 09:01

  • Share

Ndërtimi mbi rrënojat e Rafahut i një "qyteti humanitar" për 600 mijë banorë të Gazës që nuk ka asgjë humane dhe që ngjan më shumë me një burg brenda burgut. Ky është plani i qeverisë izraelite për jugun e Rripit të Gazës, ashtu siç u paraqit për mediat nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili njoftoi gjithashtu se u ka dhënë mandat forcave të armatosura të përgatisin detajet.

Plani parashikon që, gjatë armëpushimit – nëse do të arrihet marrëveshja në Doha – ushtria të nisë përgatitjen e "qytetit humanitar" në Rafah, ku, sipas synimeve të Katz, do të zhvendosen pas kontrollit të sigurisë 600 mijë palestinezë të zhvendosur në al Mawasi. "Pasi të jenë brenda, nuk do të mund të dalin më", shpjegon ministri, i cili propozon më pas që e gjithë popullsia e Rripit të përqendrohet në këtë "qytet humanitar".

Ushtria — sipas projektit të koordinuar nga ish-komandanti i forcave të armatosura Amir Baram, tani drejtor i përgjithshëm i ministrisë — do të jetë përgjegjëse për sigurinë në perimetrin e jashtëm të Rafahut, por nuk do të menaxhojë vetë vendbanimin e as do të merret me shpërndarjen e ushqimit brenda tij. Gjatë një takimi me gazetarët, ministri Katz tha se objektivi i luftës është dobësimi i Hamasit përmes goditjes së lidershipit të tij, pushtimi i territorit, çmilitarizimi i Rripit dhe zbatimi i asaj që ai e quajti "plani i emigracionit". Ai shtoi se vetë Netanyahu po kërkon tashmë vende të gatshme të pranojnë palestinezët nga Gaza.

Nuk është hera e parë që një përfaqësues i qeverisë izraelite flet hapur për idenë e dëbimit të banorëve të Gazës nga toka e tyre, duke e quajtur megjithatë "emigrim vullnetar". Që qëllimi është serioz, e dëshmon edhe ajo që zbuloi javën e kaluar Financial Times: kompania Boston Consulting Group, e cila ka ndihmuar më parë në themelimin e fondacionit të diskutueshëm Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), ka hartuar një model financiar për zhvendosjen jashtë Rripit të 500 mijë palestinezëve, me një kosto prej 9 mijë dollarësh për person – pothuajse i njëjti numër i përmendur nga Katz për "qytetin humanitar" të Rafahut.

Megjithatë, edhe dje shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, para Gjykatës së Lartë tha se ushtria nuk ka ndërmend të dëbojë popullsinë e Gazës, duke saktësuar se zhvendosja dhe përqendrimi i njerëzve në zona të caktuara të Rripit "nuk bën pjesë në objektivat e operacionit Karrocat e Gedeonit". Por ideja e ministrit Katz është pikërisht kjo. Dhe ajo i shtohet një tjetre, të propozuar nga GHF drejtpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë, për krijimin e "zonave humanitare të tranzitit vullnetar", brenda Rripit por edhe jashtë tij në perspektivë, ku të sistemohen palestinezët e zhvendosur. Dy miliardë dollarë për ngritjen e kampeve ku, sipas dokumenteve të cituara nga Reuters, "popullsia mund të qëndrojë përkohësisht, të çrradikalizohet dhe të reintegrohet"./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?