Këto janë dosjet e ankesave të bëra nga 2104 qytetarë shqiptarë për shkelje apo abuzime me detyrën nga gjyqtarët në periudhën 2017-2020.
Shqyrtimi i tyre u bë me vonesë dhe përfundoi vetëm këtë vit, ndërkohë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar 34 vendime disiplinore, ku ka hetuar shkeljet e pretenduara ndaj veprimtarisë së 58 gjyqtarëve. Nëntë nga hetime kanë përfunduar me kërkesë për procedim disiplinor ndaj 9 magjistratëve gjyqtarë. Masat e propozuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ishin “Shkarkim nga detyra”, për 3 gjyqtarë; “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40%” për 5 gjyqtarë dhe për 1 gjyqtar u propozua masa disiplinore “Vërejtje publike”.
Për këto kërkesa, Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka pranuar pjesërisht kërkesën për shkarkim nga detyra për 1 gjyqtar, duke vendosur për të një masë të ndryshme disiplinore, ndërsa 2 rastet e tjera janë mbyllur pa vendim. Sipas ILD-së, për 5 rastet kur është kërkuar ulje page, KLGJ ka pranuar 2 dy kërkesa ndërsa 3 procedime i ka pezulluar për shkak të procesit të rivlerësimit. Për një gjyqtar për të cilin ishte kërkuar masa “Vërejtje publike”, KLGJ ka vendosur pezullim për shkak të procesit të rivlerësimit.
Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë njoftoi se bëhet fjalë për një stok prej 2104 ankesash e praktikash dokumentare që të patrajtuara, ose të shqyrtuara pjesërisht nga organet e mëparshme të sistemit të drejtësisë. Shqyrtimi i stokut ka nxjerrë në pah procedurat e paplota te ndjekura nga organet e mëparshme si KLD, për trajtimin e këtyre ankesave.