Qytetarët dhe bizneset që kanë një kredi për të paguar, nuk po i shlyejnë në kohë këstet. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë 4.88% e totalit të kredive të dhëna nga bankat klasifikohen me probleme, pasi po shlyhen me vonesa nga kredimarrësit, duke shënuar rritje në krahasim me marsin, kur ky tregues ishte 4.64%.
Huatë e këqija në prill kapën vlerën 37.6 miliardë lekë, nga 35.4 miliardë lekë që ishin në mars, duke u rritur me 2.1 miliardë lekë. Rritje totali i kredive me probleme ka edhe në raport me vitin e kaluar, pasi në prill të 2023-shit, kredia e keqe përllogaritej në 36.8 miliardë lekë. Totali i kredisë së dhënë deri në muajin prill sipas të dhënave është 770.9 miliardë lekë.
Ndikim në rritjen e kredisë me probleme po japin normat e larta të interesit, inflacioni i lartë, dhe shtimi i kostove të jetesës që përkthehet në ulje të fuqisë paguese të kredimarrësve. Banka e Shqipërisë thotë se interesi mesatar për kredinë e dhënë për bizneset është rritur me 1%, si rezultat i rritjes së normës bazë të interesit për të mbajtur në kontroll inflacionin. Në muajit e parë interesi mesatar i kredive për biznes ishte 6.6%, ndërsa interesat për kreditë konsumatore kapën vlerën 7.9%.
“Rritja e fundit e normës bazë në muajin nëntor 2023 është përcjellë në tregun financiar, por niveli i normave të interesit në të mbetet ende akomoduese”, thuhet në raportin e politikës monetare.
Shtrenjtimi i kredisë, si rezultat i interesit më të lartë i shoqëruar edhe me vijim të inflacionit, po ndikon negativisht në xhepin e qytetarëve e bizneseve të cilët nuk po paguajnë rregullisht kreditë.