Në muajt e parë të pandemisë, në hyrje të këtij tregu në Kombinat ndodhej i vendosur një tunel dezinfektues, ndërsa tashmë që ka kaluar thuajse një vit e po shohim shifra rekord të infektuarish e fatkeqësisht dhe viktimash, nuk ka më një tunel dezinfektues. Qytetarët vijojnë të bëjnë pazare çdo ditë, ndërsa disa shihen edhe pa maska.
Vetë tregtarët që shesin në këtë treg shprehen se ndjehen të riskuar nga virusi, ndërsa shtojnë se prej muajsh tuneli dezinfektues nuk është më.
“Që nga qershori tuneli dezinfektues nuk është më. Me çfarë po dëgjojmë frika ekziston, dita ditës po vdesin mosha të reja, na ruajt zoti. Tuneli ishte vjet, në fillim ishte një muaj edhe kaq. Do ruhemi do kemi kujdes. Por të ruhemi të gjithë, të jemi të ndërgjegjshëm por të gjithë, jo njëri të ruhet njëri mos të ruhet, të jemi të barabartë. Të rrezikuar ndjehemi se kapim çdo lloj leku me çdo lloj dore njeriu, kështu që ndjehemi të rrezikuar”-u shprehën disa prej tregtarëve.
Nga vëzhgimi i Report Tv shihet se situata paraqitet e njëjtë edhe në tregje të tjera të Tiranës. Tek Medreseja nuk shihen gjëkundi tunelet dezinfektues, qytetarët e shumtë në numër vijojnë me blerjet ndërsa ruajtja e distancës duket e pamundur për tu respektuar.
Ndonëse po kalon një vit që vendi ynë po përballet me pandeminë e COVID-19, në spitalet e QSUT nuk ka pasur ndonjëherë tunele dezinfektuese. Qytetarët presin në radhë me shpresën se nuk do të infektohen.