Ekonomi

Qytetarët ‘jo’ blerjeve të mëdha! BSH: 2025 vit pesimist, bie besimi në ekonomi për janarin! ‘Sytë’ tek turizmi

3 Shkurt, 16:28| Përditesimi: 3 Shkurt, 16:38

  • Share

Me mbylljen e festave të fundvitit, ‘iku’ edhe optimizmi për ekonominë. 2025-a ka nisur me pesimizëm si për bizneset ashtu edhe për qytetarët të cilët kanë ulur pritshmëritë e tyre, duke bërë që besimi në ekonomi në muajin janar të bjerë me 0.8% në raport me dhjetorin. Banka e Shqipërisë thotë se në dobësimin e besimit në ekonomi kanë ndikuar të gjithë sektorët me përjashtim të shërbimeve.

Rënia e kontratave, stopimi i prodhimit si dhe pritshmëritë për rënie të lehtë të çmimeve për produktet industriale, kanë bërë që ky sektor të ulë besimin me 4.7% në muajin janar. Trendi negativ i besimit për industrinë ka vijuar që në tremujorin e fundit të vitit të shkuar.

Në janar edhe ndërtuesit kanë raportuar për rënie të aktivitetit ndërtues edhe pse kontratat për porosi, pritshmëritë për çmimet si dhe për punësimin janë vlerësuar në rritje. Besimi i këtij sektori ra me 4% ndërsa me 2.9% është ulur edhe besimi i tregtisë për shkak të ecurisë jo të mirë të aktivitetit të biznesit, por kanë pritshmëri pozitive për muajit në vijim.

Ndërsa qytetarët me mbylljen e muajit të festave, janë më të tërhequr duke bërë që besimi i tyre të jetë 3% më i ulët se në dhjetor. Qytetarët kanë pohuar se kanë ndaluar blerjet në shuma të mëdha pasi kanë pritshmëri jo të mira për situatën e përgjithshme ekonomike si dhe presin rritje të çmimeve.

I vetmi sektor optimist është turizmi. Besimi nga shërbimet u rrit me 4.4% muajin e kaluar, si rezultat i ecurisë së mirë të biznesit, numrit të lartë të pushuesve por edhe si rezultat i pritshmërive për rritje të punësimit.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?