Kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat me ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, pas deklaratave të këtij të fundit se valën e dytë të COVID në Gjermani e shkaktuar qytetarët që shkuan për pushime në Ballkan dhe Turqi. Por tashmë edhe gazeta gjermane "Welt", pas disa hulumtimeve të bëra, ka hedhur poshtë deklaratat e ministrit gjerman.
Sipas "Welt’’ kjo është një "përrallë zanash" për pushimet verore nga ministri gjerman, pasi shifrat tregojnë se lidhja nuk ekziston.
‘’Përqindja e infeksioneve të huaja gjatë verës ishte vërtet e lartë. Por në terma absolutë, numri i infeksioneve ishte jashtëzakonisht i ulët. Sipas Universitetit Johns Hopkins në Gjermani, kishte gjithsej rreth 50,000 infeksione të reja në korrik dhe gusht. Nga mesi i shtatorit, infeksionet e huaja nuk luanin më një rol të madh. Rritja eksponenciale e valës së dytë filloi më vonë, në fillim të tetorit. Supozimi i ministrit që Gjermania ra në valën e dytë për shkak të numrit të udhëtarëve që kthehen nuk mund të mbështetet’’, thuhet mes të tjerash në artikull.
Në një reagim për "BILD", Rama reagoi ashpër ndaj ministrit gjerman, duke e cilësuar si skandal faktin që ai denonconte publikisht Ballkanin, ndërsa theksoi se nuk do të lejonte që Shqipëria këtë verë të cilësohet si zonë rreziku e ti ndalohen udhëtimet pasi nuk ka shifra që ta provojnë këtë.