Orkestra simfonike e Shkodres

Qytetarët shkodran kundër bashkisë: Mos përdorni artin e kulturën vendase politikisht

21 Janar 2023, 21:18| Përditesimi: 21 Janar 2023, 21:25

  • Share

"Orkestra Simfonike e Shkodrës pas 32 vitesh mungesë, është tashmë një realitet". Ka qenë kjo një pjesë e deklaratës së kreut të bashkisë Shkodër, Spahia që shkaktoi dhe irritimin e qytetarëve të këtij qyteti. Sipas tyre bashkia e Shkodrës po grabit vlerat kulturore dhe po tregon mosrespekt qytetar për përfitime politike.

Orkestra Simfonike e qytetit të Shkodrës është rikthyer nga Bashkia, me miratimin e Këshillit Bashkiak, si strukturë që do të funksionojë me honorarë e prova të rregullta, ashtu siç prej vitesh funksionon edhe Banda Frymore e qytetit. Pa diskutim që kjo duhet duartrokitur pasi nxjerr në pah vlerat artistike të këtij qyteti që gjithmonë është konsideruar si djepi i kulturës shqiptare. Ajo çka solli irritimin e qytetarëve ishte përvetësimi, dhe shtrembërimi i të vërtetës së Mjeshtrit Kujtim Alia i cili në vitin 2007 ktheu orkestrën simfonike mbas 17 vitesh. Sipas qytetarëve , Spahia e anashkaloi këtë fakt për ti marrë meritat dhe për ta përdorur politikisht.

"Ai e kthen orkestrën mbas 32 vitesh duke mohuar jo vetëm kontributet individuale, por dhe të Bashkisë së Shkodrës në 2007. Kjo në fakt është “mos mirënjohje politike” është “mos respekt qytetar” është “grabitje vlere kulturore”!- shprehet gazetari shkodran, Bes Bekteshi

Një tjetër reagim ka ardhur nga artistja, Manjolla Lloja në rrjetin social Facebook.

"Por ky komunitet, ashtu si i gjithë qyteti, e di mirë se Orkestra në fakt është rikthyer shumë vite më parë nga Kujtim Alija. Mjeshtri i Madh, që ishte i tillë edhe para se t'ia akordonin titujt institucionet, bëri atë që institucionalisht mori shumë më tepër kohë. Kjo memorie fatmirësisht, nuk na lë asnjërin me e çu historinë nga i leverdisin orekset e çastit, por duhet të frymëzojë për vazhdimësinë e një përvoje të shkëlqyer."- shkruan ndër të tjera Lloja.

Kjo orkestër pritet të ketë premierën e parë para publikut shkodran në muajin mars. Orkestra Simfonike e Shkodrës do të ketë në përbërjen e saj 45 instrumentistë që nga ata të përvojës e deri tek më të rinjtë ndërsa me rithemelimin e saj plotësohet edhe kuadri i plotë i Filarmonisë së Shkodrës duke përfshirë instrumentistët solistë, korin polifonik dhe solistët lirikë dhe ata modern, formacionin e Orkestrës Frymore si dhe formacionin e muzikës moderne me këngëtarët përkatës duke ndikuar kështu në rigjallërimin e jetës artistike në qytet.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?