Nga një mjet funksional është shndërruar në një mjet frike për qytetarët.
Ashensorët duhet t'i nënshtrohen disa rregullave për ruajtjen e distancimit fizik dhe masat mbrojtëse. Një protokoll i tillë mungon, por administratori i zonës "Don Bosko" në Tiranë Isidor Koti thotë për Report Tv se u janë dhënë udhëzimet drejtpërdrejtë qytetarëve.
"Ata janë udhëzuar për të qenë të kujdesshëm për të shtypur butonin për në katin ku do shkojnë, por jo vetëm kaq edhe sanitaret tona kanë përdorur solucionet e nevojshme për të qenë sa më i pastër dhe sa më i mbrojtur ashensori", u shpreh Isidor Koti, administrator Pallati.
Vetë banorët e pallateve shprehen se kanë frikë t’i përdorin ashensorët në këtë kohë, por nuk e shmangin dot lëvizjen me to pasi jetojnë në kate të larta.
“Po me raste, kur e shikojmë që janë shumë veta shmangemi, nuk i përdorim ose i përdorim kur futemi vetëm. Janë ndërgjegjësuar njerëzit presin në rradhë deri sa të vijë sërish t’i marri”, shprehet një qytetare.
“Me ashensor zbres”, thotë një qytetare e moshuar .
“Ne që jemi poshtë jo, unë jam në katin e tretë nuk e përdori ashensorin se e kam më afër po, ai që është në katin e dhjetë e do hipë se s’bën “, thotë një i moshuar tjetër.
Mungesa e dezinfektimit në mënyrë periodike të ashensorëve dhe hapësirave në oborret e pallateve ku ata jetojnë, ka qenë një ndër ankesat kryesorë të qytetarëve në kohën e rrezikut të Koronavirusit.
“Dezinfektim nuk bëhet, jua them unë, fare asnjë dezinfektim”.
“Që në fillim njëherë e kanë dezinfektuar e pastaj, jo më. Megjithatë edhe njerëzit nuk janë shumë të pastër pasi lahet pallati çdo ditë dhe përditë hedhin plehra”, thotë qytetarja.
“Këtu është një neglizhencë, Në fillim muajin e parë, dy javët e para i dezinfektuam, më mbrapa u tërhoqën”, shprehet qytetari i moshuar .
Administratori Isidor Koti është shprehur se në zonën që ai mbulon, janë marrë masat për kryerjen e dezinfektimit të ashensorëve të paktën njëherë në javë.
"Tani me reduktimin e rasteve, dhe me hapjen e dalëngadalë të çdo procesi, për shembull gjatë këtij muaji një herë ose dy herë në javë e kemi kryer dezinfektimin", tha Isidor Koti.
Nisur nga fakti që ende nuk jemi ne kushtet kur rreziku i pandemisë së përhapjes së virusit Covid 19 ka kaluar, duhet që së paku të gjitha ndërtesat e pajisura me ashensor t’i nënshtrohen verifikimeve të vazhdueshme nga autoritet kontrolluese për të parë nëse ato i plotësojnë apo jo kushtet e sigurisë për jetën e qytetarëve.