Ky libër që Eridana Çano po shfleton në Kryeministri është dëshmi e agresionit rus në Ukrainë. Fotoevidence ka përzgjedhur 93 fotoreporterë nga 29 vende rrezikuan jetën e tyre për të rrëfyer çka ndodhi gjatë vitit të parë të konfliktit. Përmes 360 imazheve e 30 eseve, për ta "Ukraina është një krim lufte".
“Është një iniciativë e Fondacionit për Shoqëri të Hapura për Ballkanin Perëndimor, që patën idenë për të punuar së bashku me Fotoevidence, Kështu, vitin e kaluar bënë një thirrje publike për të mbledhur sa më shumë foto dhe evidenca nga viti i parë i Luftës në Ukrainë. Dhe, fatkeqësisht jemi në vitin e treë të luftës”, thotë Eridana Çano drejtore e COD.
"Ukraina: një krim lufte" është quajtur edhe ekspozita me 50 imazhe që kuratorja Svetlana Bachevanova ka zgjedhur nga libri, për të shpalosur këtë histori tragjike në Qendrën për Hapje dhe Dialog. Vizitorët, prej 23 shkurtit, kanë parë nga afër katastrofën humanitare në zonat e luftës.
“Është e vërtetë, pamjet janë shumë tronditëse. Fotoreporterët kanë qenë në vijë të parë, dhe përmes asaj që panë me sytë e tyre dhe që përjetësuan në aparatin fotografik, u bë e mundur që bota të shikonte se çfarë mizorie po ndodhte”, tregon më tej Çano.
Të moshuar që mes plagëve shtrëngojnë duart, gra shtatzënë të plagosura, familjarë që gjunjëzohen para shkatërrimit të shtëpisë, qytetit, apo më keq, vdekjes të njerëzve të dashur. Fotoreporterë të Luftës si Christopher Oçhicone, e dëshmuan edhe në Kryeministri, se këto imazhe, rrëfimet e tyre janë prova krimi.
“Mbaj mend shushuritjen e këtyre qeseve kur mblidheshin trupat, ata vinin dorezat dhe pastronin duart me alkool, dhe qentë hanin kufomat...”, tregoi Christopher Oçhicone në Kryeministri.
Ekspozita sjell edhe mesazhin e presidentit të Ukrainës: "Ky është realiteti ynë", sipër një fotoje të realizuar në bunkerin prej nga ai drejton Luftën. . Volodymir Zelensky u përball me këtë qoshk ekspozitor tragjik, gjatë vizitës së tij në Kryeministri në fundshkurtin që lamë pas.
“I është treguar ekspozita nga kryeministri Edi Rama. Sigurisht që u impresionua që ne kemi një ekspozitë të tillë. Dhe po ashtu nga mbështetja që populli shqiptar ka treguar për Ukrainën që nga dita 1. Dhe po, ai e pohoi që ky është realiteti i tyre. Dhe këto janë foto e dëshmi që do të përdoren edhe në gjykatë si prova të mizorive që janë kryer”, shton më tej.
Realiteti i luftës në Ukrainë, përmes këtyre imazheve vizitorët mund ta shohin deri në 23 mars. Dokumentimi përmes pamjeve filmike do të vijë po në Qendrën për Hapje e Disalog përmes filmit çmim Oscar “20 days in Mariupol”.