Periferi

Qytetërimi në provë të vështirë. Edhe ne si shqiptarë

29 Tetor 2020, 12:13| Përditesimi: 29 Tetor 2020, 12:16

  • Share

Duam të masim vërtetë nivelin tonë të qytetarisë? Secili prej nesh mund ta provojë duke pasur përballë kundërshtarë dhe provokues që të thonë fjalët më lënduese e ofenduese që mund të mendohen. Për shumë nga ne nuk reziston gjatë provokimi, debati: që në kundërshtimin e parë,  që në prekjen e parë të egos sonë, acarohet biseda. Reagimi? I kërkohet adresa kundërshtarit: Ma trego pak ku e ke shtëpinë? Pastaj nisin paralajmërimet: Do ta shohësh çfarë do të të bëj! Pastaj kërcënimi fizik: Do të të zhduk, do të të vras, do të të shfaros… dhe epitete e sharje nga më të paimagjinueshmet. Por deri në fjalë, gjërat mbeten ende në nivelet e njerëzve të qytetëruar, të cilët mund të zgjidhin të pazgjidhshmen në gjykatë. Deri këtu kemi të bëjmë me qytetërim, të ndërtuar dalë nga dalë me sakrificën e njerëzve të ndritur të botës së lirë. Problemi qëndron se dikush beson fjalët, mërzitet, dhe pastaj vret me të vërtetë. Në Francë vranë përsëri sot.

Loja me fjalët në epokën e mass mediave dhe rrjeteve sociale nuk është e kollajtë. Impulset, instiktet, veprimet janë qindrafishuar dhe jo çdo qytetërim është i përgatitur të frenojë një shpejtësi marramendëse efekti dhe shpërndarje. Pastaj njerëzit nuk ushqehen nga i njëjti informacion, kulturë, ligj e zakon. Globalizmi ka afruar tepër afër të kundërtat e që të kudërtat të qëndrojnë bashkë mirë, lypset shumë dashuri e tolerancë.

Kujdes me fjalën në erën e rrjeteve sociale. Edhe në Shqipëri miq. Fjala e keqe vret vërtetë, nuk është shaka. Në debatin mes gazetarit Mustafa Nano dhe profesor Bujar Kapexhiut rreth komentit të ngjarjeve të rënda në Francë mbi karikaturat e Charlie Hebdo dhe vrasjen e mësuesit, ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte. Profesor Bujari tha: Unë të vras po më ofendove gjënë e shenjtë! Të gjithë e dimë që Profesor Bujari nuk vret, por asnjë nga ne nuk ka garancinë se nuk vrasin ata që si profesor Bujari nuk janë. Kemi vuajtur shumë për lirinë e fjalës dhe të mendimit dhe duhet të jemi krenarë që mund ta thotë lirshëm atë çdo kundërshtar, pavarësisht na pëlqen apo jo. Harrojmë se njerëzit e inatosur, ata që shpifin dhe shajnë, nuk e kanë problemin me kë shajnë apo ofendojnë; shpesh ata nxjerrin në dritë të fshehta të vetes, tregojnë para gjithë botës se si janë. Mos e shikojmë si sulm verbal personal, e shohim si një mundësi për të njohur sa më mirë njerëzit, e për të qëndruar me kë është pranë zhvillimit, botëkuptimit tonë. Për shembull artistët, mendimtarët kanë provokuar gjithnjë njerëzimin dhe fjalët e tyre kanë prodhuar skandal, por edhe për këtë arsye qytetërimi është zhvilluar shkallë-shkallë duke rritur durimin dhe tolerancën, duke bërë gjigande e të mbrojtur me ligje dhe institucione atë të çmuarën kohë që ndan çastin mes një kërcënimi dhe një veprimi real vrasjeje, shuarje jete.

Kujdes! Në kohën e rrjeteve sociale fjala e keqe ka shkurtuar kohën e reflektimit dhe ka rritur kohën e reagimit impulsiv dhe veprimit të keq. Uroj të mos futet në këtë ferr asnjë shqiptar.

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?