Llatja premtoi zgjidhje për një jave, por Elbasani mbetet i zhytur në plehra, banorët: Ne kërkojmë të pastrohet se ne taksat i paguajmë të gjitha!

8 Dhjetor 2021, 16:18| Përditesimi: 8 Dhjetor 2021, 16:32

  • Share

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja premtoi se brenda javës merr zgjidhje problemi i mbetjeve urbane në qytet, por paraditen e 8 dhjetorit panorama është e njëjtë. Lagjet periferike të qytetit janë të zhytura në mbeturina.

Që prej datës 24 nëntor firmës kontraktuese e cila merrej me pastrimin e qytetit të Elbasanit i ka mbaruar kontrata dhe kjo ka bërë që mbeturinat të pushtojnë këtë qytet. Të tejmbushura me mbeturina nuk janë vetëm koshat e kontejnierët, por edhe lagjet e rrugët e qytetit ku njerëzit veç shqetësimit të erës së keqe, nuk lëvizin dot për shkak të krijimit të pirgjeve dhe ndotjes.

'Të shqetësuar jemi, po, ça të bëjmë ne. Këtu vjen dhe erë e keq dhe nuk duhen lënë me ditë, çdo ditë duhet të hiqen', thotë një qytetar.

'S’kemi ça të bëjmë ne, është pisllëk i madh për fëmijët dhe për ne. Duhet ta pastrojë Bashkia', shprehet një qytetar tjetër.

Kompanisë “Viktoria Invest” i përfundoi kontrata me Bashkinë e Elbasanit si rrjedhojë 300 punonjësit e saj dhe pastrimi i qytetit kanë ngelur në mëshirë të fatit. Për shkak të situatës së pazakontë qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve pasi janë taksapagues të rregullt.

 “Ka rreth 2 muaj që nuk pastrohet rregullisht. Ne kërkojmë që të pastrohet se ne taksat i paguajmë të gjitha”, thotë qytetari.

Aktualisht me pastrimin e qytetit po merret Agjencia e Shërbimeve Publike. Ndërsa Bashkia e Elbasanit ende nuk ka dhënë një zgjidhje, qytetarët janë në pritje që Agjencia e Prokurimit Publik të përzgjedhë kompaninë e re që do të merret me pastrimin e Elbasanit.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?