Lvivi, qyteti ukrainas, u shpall dje Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2025, në ceremoninë e zhvilluar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Titullin e dorëzoi kryebashkiaku Erion Veliaj, duke qenë se Tirana e mbajti këtë vit titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, ku u shënuan mbi 1000 aktivitete për të rinjtë.
“Fqinjët kanë rëndësi! Ata kanë rëndësi për ne kur i kemi në pallat, janë ata që na rrethojnë në shkollë, në punë, por më shumë rëndësi kanë nëse janë shtete që na rrethojnë. Teksa ne përjetojmë një luftë në Europë, si kjo në Ukrainë, të gjithë po e kuptojmë se nuk duhet t’i marrim fqinjët për të mirëqenë,” u shpreh Veliaj gjatë fjalës së tij gjatë ceremonisë.
Kryebashkiaku ndau edhe një copëz nga përvoja si drejtues i qytetit që mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë.
“Kur më pyesin se cila është paja që la Viti i Rinisë, sigurisht që më vijnë në mend shumë punë fizike që kemi bërë. Por, e di se çfarë do t’i ngelet qytetit tonë? Edhe pse jam shumë krenar për bibliotekat e reja, për qendrat rinore, edhe pse jam shumë i lumtur që ne i kemi 40 shkolla, jam shumë krenar për terrenet sportive, unë besoj se arritja e vërtetë e vitit të Rinisë, e Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë, ka qenë ndërtimi i një katedraleje të zemrave tona, të mendjeve tona dhe të qëllimeve tona si europianë, si njerëz që punojnë bashkë, fitojnë bashkë, përparojnë bashkë dhe janë krenarë për njëri-tjetrin, fqinjët e shokët e tyre të rinj”, tha ai.
Por, viti i Rinisë ende nuk ka mbaruar, shtoi Veliaj.
“Për të gjithë ata që janë vizitorë në Tiranë, shpresoj të rrini deri në fundjavë, ku teksa mbyllim vitin ku ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë, Dua Lipa mbyll turin e saj botëror në Tiranë. Nëse do rrini edhe më gjatë, në datën 6 dhjetor krerët e Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit do të takohen në Tiranë, për një samit historik të Europës së bashkuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe nëse do rrini akoma, do ju konsiderojmë t’ju japim një pasaportë shqiptare, që të mos ikni më kurrë,” tha kreu i Bashkisë.
“Edhe pse jemi në fund, muaji dhjetor na pret me realizimin e shumë shumë aktiviteteve të tjera, të përkthyera në uorkshope, trajnime, seminare, ekspozita, festivale, koncerte, kampionate sportive shumë e shumë të tjera,” tha Aspasjana Kongo, Koordinatore e Përgjithshme e “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, Kongresi Rinor Kombëtar.
“Dua të falenderoj Bashkinë e Tiranës si një partner serioz në këtë rrugëtim plot sfida, që është gjendur në çdo moment dhe ka përqafuar këto nisma,” tha Dafina Peçi, Drejtoreshë Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar.
Katër ishin qytetet finaliste për titullin e kryeqytetit të ardhshëm europian të Rinisë: Izmiri, Fuenlabrada, Tromso dhe Lvivi.