Kamionët e ngarkuar me mallra në Portin e Durrësit e të nisur drejt Kosovës prej ditësh qëndrojnë në radhë kilometrike për të kaluar kufirin në Vërmicë.
Qindra automjete të transportit të mallrave kanë qëndruar në pritje për më shumë se 8 orë në pikëkalimin kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas shoferëve shkak u bë mbarimi i afatit të kontratës në terminal.
Pasi kryejnë të gjitha procedurat doganore në kufi mjetet e rënda bllokohen për zhdoganimin e mallit në Prizren. Terminali ku operojnë 40 agjenci doganore i ka përfunduar licenca duke lënë pa asnjë zgjidhje drejtuesit e mjeteve të ngarkuara me mallra.
Transportuesit janë udhëzuar që të kalojnë tranzit për në Terminalin e Prishtinës për zhdoganim.
Në të tilla raste mjetet e transportit të mallrave duhet të kalojnë tranzit për procedura të mëtejshme në terminalin e Prishtinës për tu rikthyer në destinacionet përkatëse.
Por prej disa javësh në doganën e Kosovës ka defekt njëra prej peshoreve, e nga dy korsi dedikuar për mjetet e renda, funksionon vetëm njëra prej tyre duke shkaktuar radhë kilometrike thuajse çdo mbrëmje.
Pika kufitare e përbashkët Shqipëri -Kosovë dhe dogana, po mbajnë peshën kryesore të eksporteve dhe importeve jo vetëm me Kosovën por edhe me shtetet e tjera të rajonit e më gjerë, të cilat përdorin rrugën e kombit dhe kufirin si tranzit.
Kontrata në terminalin e Prizrenit ka skaduar ditën e djeshme për mallrat që hynë nga Shqipëria, duke sjellë radhë të gjata në kufi.