KUKËS-Kolona të gjata mjetesh që transportojnë mallra nga Shqipëria drejt Kosovës u krijuan gjatë pasdites së sotme, disa kilometra në afërsi të fshatit Morinë të Kukësit.
Shumë drejtues mjetesh, në pritje për të kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë, jashtë kamerave thanë se vonesat po shkaktohen nga pala e Kosovës, konkretisht nga dogana e Vërmicës, për shkak të procedurave doganore, por pa marrë sqarime të mëtejshme rreth këtyre vonesave.
Kolona të tilla me mjete transporti mallrash zakonisht krijohen gjatë fundjavës, në orarin që përkon edhe me pushimin e personelit të doganës.
Vonesat në kufi nuk janë të rralla dhe lidhen kryesisht me procesin e skanimit të mjeteve dhe mallrave, por herë pas here edhe me funksionimin vetëm të një sporteli nga ana e doganës së Kosovës.
Gjatë qëndrimit në pritje për të hyrë në Kosovë, kompanive u shtohet ndjeshëm kostoja e shpenzimeve për shkak të mungesës së qarkullimit të mallrave.
Komente
