Radhë të gjata janë krijuar në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, tek rruga "Myslym Shyri", për të marrë shërbimin e duhur nga qytetarët. Mes tyre nuk është mbajtur asnjë distancë, një nga rregullat kryesore për të parandaluar përhapjen e pandemisë së COVID-19, ku vetë policia ka vënë gjoba kur ka pasur shkelje të tyre. Shumë prej të rinjve kanë shkuar që të dorëzojnë dokumentet e pranimit në shkollën e policisë, por ka edhe të tjerë për të marrë mjetet e identifikimit si pasaporta.
Njëri nga të rinjtë për kamerën e Report Tv tha se dje kishte pritur me orë të tëra, por edhe sot është e njëjta situatë dhe duke mos marrë shërbimin e duhur rrezikohet që edhe mos të regjistrohet në shkollën që do.
"Kam ardhur dje rreth kësaj ore, pritëm se kishte dhe njerëz për pasaporta, prisnim edhe s'na jepnin përgjigje dhe na tha nesër në orën 9. Të sorollatin për një vërtetim. Nuk e di a do të ketë vonesa apo pranime", tha ai.