Qytetarët të shumtë janë në radhë jashtë Onkologjikut në QSUT, pak metra larg Spitalit Infektiv, pasi holli është i zbrazur si masë parandaluese ndaj COVID-19 për të shmangur grumbullimet.
Në pamjet e sjella nga Report Tv këtë mëngjes, dhjetra qytetarë ne pritje për vizita apo për te marre terapi kemio, shfaqen me maska e doreza e disa të tjerë pa asnjë masë mbrojtëse ndaj koronavirusit. Por edhe pa karrike dhe pa asnjë mbrojte nga shiu apo i ftohti.
I takon Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masat për të garantuar distancën e sigurisë mes pacientëve, në kushtet kur jashtë ambienteve të Onkologjikut, nuk ka as stola për të qëndruar ulur.
Duhet të kujtojmë që të sëmurët onkologjikë janë më të ekspozuarit ndaj efekteve të koronavirusit. Ndoshta do të mjaftonte qoftë edhe një tendë dhe të vendoseshin karrike të distancuara për të ofruar një komoditet minimal këtyre të sëmurëve.
Duke qenë se janë persona që kanë nevojë për kujdes shëndetësor përsakohë i janë drejtuar spitalit, është spitali vete që duhet t'i furnizojë edhe me maska mbrojtëse si kategori me shumë rrezik për përhapjen e infeksionit.
Ndryshe nga grumbullimet masive ku qytetarët nuk ruajnë asnjë distancë dhe masë sigurie teksa dynden në tregjet për të blerë ushqime e fruta-perime, këta qytetarë janë të detyruar të qëndrojnë në radhë për të marrë kujdesin shëndetësor.